Jeb Bush publikon pasurinë e tij dhe regjistrat e pagimit të taksave

01/07/2015 00:00

Kandidati republikan për President në SHBA, Jeb Bush ka një pasuri që vlerësohet deri në 22 milionë dollarë. Ish-guvernatori i Floridas ka publikuar edhe regjistrat e pagimit të taksave për 33 vite.

Pasuria e tij neto vlerësohet nga 19 deri në 22 milionë dollarë. Financat e Bush u rritën ndjeshëm pasi la karrigen e Guvernatorit të Floridas, falë të ardhurave që erdhën nga fjalimet dhe rolit si këshilltar.

Rritja më e madhe e financave të Bush u regjistrua në vitin 2007, ku njoftohet se ka arkëtuar 2.3 milionë dollarë ose 772% më shumë se sa fitoi ai në vitin e fundit si guvernator.

Nga viti në vit, financat e tij vazhduan të rriten. Në harkun kohor prej gjashtë vitesh, nga viti 2007 deri më 2013-n, Bush ka fituar 28.5 milionë dollarë. Për të njëjtën periudhë, ai ka dhuruar për bamirësi 750 mijë dollarë.

Publikimi i regjistrave të pagesave të taksave u krye për të informuar opinionin publik me pasurinë që kanë politikanët, por edhe për të qenë transparent rreth financimit të fushatave të kandidatëve për zgjedhjet Presidenciale.

Top Channel