Asnjë qindarkë, Greqia dështon me pagesën ndaj FMN-së. Sot mblidhet Eurogrupi

01/07/2015 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar dhe përforcuar në orët e pasdites të së martës nga ministri grek i Financave, Yannis Varoufakis, Athina nuk derdhi asnjë qindarkë nga borxhi prej 1.6 miliardë euro që i detyrohej Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kjo pagesë duhej të ishte kryer para mesnatës. Më herët, ministrat e Financës së Eurozonës refuzuan zgjatjen e afatit për pagesën e këtij borxhi. Megjithatë, ata do të mblidhen sërish këtë të mërkurë dhe në tryezë kanë një propozim të ri grek për një dorëzani të re me afat 2-vjeçar.

Plani grek u propozua të martën si përpjekje për të gjetur një ujdi të minutës së fundit.

Tejkalimi i afatit për pagesën ndaj FMN-së e vendos Greqinë në listën e vendeve me borxh të prapambetur.

“Njoftuam Bordin Ekzekutiv se Greqia tashmë është në listën e vendeve me borxh të prapambetur dhe mund të marrë financim nga FMN vetëm në momentin kur të ketë dalë prej kësaj liste”, deklaroi zëdhënësi i FMN-së, Gerry Rice.

Rice tha se Fondi mori më herët një kërkesë nga Athina për të zgjatur afatin e shlyerjes së detyrimit, kërkesë që është duke u shqyrtuar nga Bordi i këtij institucioni.

Kjo do të thotë që Greqia nuk ka më akses në miliarda euro fonde dhe situata përkeqësohet më shumë duke ditur se më parë ka përfunduar edhe programi i ndihmës i Eurozonës, ndërsa Banka Qendrore Europiane ka ngrirë fondet e garancisë së likuiditetit për bankat greke, duke i detyruar ato të qëndrojnë të mbyllura që prej ditës së hënë.

Këtë të diel, grekët do të dalin në një referendum për të vendosur me një “po” ose “jo” për masat shtrënguese të propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë. Qeveria e Tsipras u bën thirrje qytetarëve që t’u thonë “jo” këtyre masave, por gjithçka mund të ndryshojë, të paktën nëse pranohet një propozim i Presidentit të KE-së, Jean-Claude Juncker.

Ky i fundit kërkon përafrimin e qëndrimeve dhe pjesë e propozimit është edhe një marrëveshje për borxhin e në këmbim të anulohet referendumi, ose qeveria t’u kërkojë mbështetësve të votojnë “po”.

Grekët janë të ndarë në dy pjesë nga kjo situatë. Nga njëra anë janë ata që u thonë “jo” kushteve të huadhënësve, dhe nga tjetra pala që u thotë “po”. Të dyja palët kanë organizuar të martën protesta të ndara, me pankarta dhe simbole nëpërmjet të cilave shprehinin edhe qëndrimet e tyre.

Kjo ndasi e popullit grek në këtë moment delikat ka ardhur si pasojë e fushatës së Tsipras që i shtyn grekët t’u thonë “jo” vendimeve të kreditorëve, si edhe nga ana tjetër e opozitës dhe ndikimit të BE-së, që paralajmërojnë se vendi i tyre rrezikon të humbasë shumë nëse del nga Eurozona.

Top Channel