Operacion antiterrorizëm në Itali dhe Shqipëri, një i arrestuar në Lushnje

01/07/2015 00:00

Autoritetet italiane dhe ato shqiptare kanë nisur në orët e para të mëngjesit një operacion të përbashkët antiterrorizëm për goditjen e një grupi ekstremistësh, që dyshohen si rekrutues luftëtarësh për ISIS-in.

Operacioni është shtrirë në Milano, Bergamo, Groseto dhe Toskana në Itali dhe në rrethin e Lushnjes në Shqipëri.

Bëhet fjalë për 11 persona të arrestuar në total, dhjetë në Itali dhe një në Shqipëri. I arrestuari në Shqipëri është shtetasi Baki Çoku, 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnje. Ai i prangos në orët e para të së mërkurës nga Policia e Lushnjes në kuadër të operacionit antiterror në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Ndaj Çokut Gjykata e Milanos ka nxjerrë dy ditë më parë një urdhër-arrest, ku 40-vjeçari akuzohet për “organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste” dhe “organizim i sulmeve terroriste në Itali”.

Operacioni duket se ka në qendër dy familje, një italiane dhe një shqiptare të bashkuara nga një krushqi. Epiqendër e aktivitetit të rekrutimit me sa duket është  gruaja e re  italiane Maria Giulia Sergio, e njohur për propagandën që bënte, e që aktualisht ndodhet në Siri së bashku me të shoqin shqiptar.

28-vjeçarja, e cila shprehej se mezi priste të luftonte për xhihadin dhe se atyre që nuk besojnë u duhet prerë koka, mesa duket ka përfshirë në aktivitetin e saj propagandistik edhe familjen e saj të origjinës.

Nga përgjimet ka dalë se familja italiane po përgatitej të linte vendin dhe mendohet se ajo ishte pikë koordinimi për rekrutimin e luftëtarëve.

Përveç Italisë dhe Shqipërisë, rrjeti shtrihej edhe në Marok. Autoritetet italiane njoftojnë se në pranga kanë rënë dy marokenë, ndërsa një tjetër, pjesë e grupit ndodhet i dënuar në Marok po për terrorizëm.

Operacioni në fjalë ishte finalizimi i hetimeve të nisura që prej muajit tetor nga strukturat antiterror italiane. Në këtë muaj, një shtetase italiane e konvertuar, braktisi gjithçka dhe udhëtoi drejt Sirisë ku iu bashkua ISIS-it.

Pas kësaj ajo u vendos nën mbikëqyrje prej autoriteteve të sigurisë dhe do të ishte një bisedë në rrjetet sociale me familjarët e vet që do të sinjalizonte ekzistencën e një rrjeti ekstremistësh në Itali.

Top Channel