“Turi i Francës”, Contador: E pamundur “dopieta” Itali-Francë? Më inkurajoni më shumë

01/07/2015 00:00

I fundit që ia ka dalë mbanë me triumfin e dyfishtë “Xhiro e Italisë” dhe “Turi i Francës” ka qenë Marco Pantani, në vitin e largët 1998. Por, vendosmëria për t’ia dalë mbanë këtë vit nuk mungon…

Vetëm pak ditë përpara fillimit të edicionit të 102 të “Turit të Francës”, drejtpërdrejt në Top Channel prej të shtunës së 4 korrikut nga Utrehti i Holandës, “mbreti” i “Xhiros së Italisë” për vitin 2015, Alberto Contador, del hapur dhe lëshon sfidën.

“Është një sfidë personale, një ëndërr e madhe – ka thënë 32-vjeçari i skuadrës “Tinkoff” në një intervistë të dhënë për “El Pais”, – dhe kush thotë se është e pamundur të fitohen të dyja xhirot brenda të njëjtit sezon më motivon edhe më shumë”.

Ekipi rus ka zyrtarizuar edhe çiklistët që do të marrin pjesë në 21 etapat e “Turit të Francës”. Në shërbim të “Pistolero”-s do të jenë mes të tjerësh edhe Roman Kreuziger dhe Ivan Basso.

“Turi i Francës është më i rëndësishmi dhe mund të të ndryshojë jetën – ka shtuar Contador. – Për sa kohë nuk e fiton, nuk mund ta kuptosh. Një fitore e dyfishtë Xhiro e Italisë dhe Turi i Francës do të ishte diçka e paharrueshme, e cila do të kujtohej prej të gjithëve për shumë kohë, por është dhe do të jetë e vështirë. Po bëj gjithçka për ta rimarrë veten dhe për të qenë në formën më të mirë të mundshme. Nuk është vetëm një sfidë fizike, por edhe psikologjike mbi të gjitha”.

Top Channel