Vëllezërit Aliko mbeten në burg, prokuroria: Të dyshuarit kryesorë për “Lazaratin”

01/07/2015 00:00

Dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko do të qëndrojnë në paraburgim. Atyre iu komunikua këtë të mërkurë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë masa e sigurisë “arrest me burg”, si të dyshuarit kryesorë për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha dhe për vrasjen e mbetur në tentativë të 5 punonjësve të tjerë të Policisë së Shtetit.

Seanca u zhvillua edhe me praninë e një psikologeje, e cila asistoi Alban Alikon, i cili ende nuk ka mbushur 18 vjeç. Asnjëri nga dy vëllezërit nuk foli gjatë seancës ndërkohë që prokurori shpjegonte se çfarë ndodhi në Lazarat të mërkurën e kaluar, ngjarje për të cilën organi i akuzës dyshon se ishte organizuar nga tre grupe, njëri prej të cilëve qëlloi në drejtim të automjetit ku ndodhej efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.

Por ndërsa dy vëllezërit dyshohen për vrasje, avokati i tyre, Neshat Fana i mbron duke mohuar versionin e prokurorisë. “Jam i bindur që dëshmitë e tyre janë pjesërisht të stisura për të vënë gishtin tek Alikot. Unë jam i bindur se hetimet do të tregojnë një tjetër histori, të cilën do ta tregojë prokuroria”, tha avokat Neshat Fana, duke iu përgjigjur interesit të mediave.

Por nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda këmbëngul se, përveç armëve që janë dërguar për ekspertim në laboratorin e kriminalistikës, ka kundër dy vëllezërve edhe dëshmitë e të pandehurve të tjerë, Klodian Skënderi dhe Xhuliano Malo.

“Nuk janë autorë të vrasjes. Nuk e vërteton dot prokuroria dhe nuk e ka vërtetuar deri tani. Të dyshuar për këtë vrasje janë me dhjetëra”, shtoi avokat Fana.

Nën masën “arrest me burg” u vendosën edhe dy vëllezërit Serxho dhe David Shehu, që dyshohen për përkrahje ndaj vëllezërve Aliko, duke qenë se i ndihmuan ata gjatë arratisë disaditore me ushqime dhe veshje. 

Top Channel