UNHCR: 135 mijë refugjatë në Europë gjatë 6-mujorit të 2015-s

01/07/2015 00:00

Më shumë se 135 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë mbërritur në Europë përmes deteve gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, teksa fluksi më i madh rezulton të përballohet prej vendeve të Europës Jugore, sipas raportit më të fundit të Komisionerit të OKB-së për Refugjatët.

“Njerëz të dëshpëruar janë duke u strehuar në kushte dëshpëruese dhe, fatkeqësisht, shifrat priten të vazhdojnë të rriten”, thotë Brian Hansford, zëdhënës i UNHCR-së.

Numri i refugjatëve dhe emigrantëve ilegalë që kanë mbërritur në Europë përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti është rritur me më shumë se 80 për qind, që prej së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, thuhet më tej në raportin e UNHCR-së.

Hartimi i këtij raporti vjen pasi udhëheqësit e Bashkimit Europian mbeten ende të përçarë në lidhje me mënyrën më të mirë sesi mund të zgjidhet kriza gjithnjë e në rritje e emigrantëve.

Rritja e fluksit të tyre, shumica e të cilëve tentojnë edhe rrugë tepër të rrezikshme si ato përmes Mesdheut me varka të pasigurta, kanë goditur veçanërisht vendet e Europës Jugore.

Greqia, pikëmbërritja kryesore e refugjatëve dhe emigrantëve gjatë 6 muajve të parë të këtij vitit, vuan nga një ekonomi tepër e rënduar dhe sapo ka shpallur falimentin për shkak të mos shlyerjes së borxheve ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Refugjatët po vërshojnë drejt Ballkanit Perëndimor nga Greqia dhe, që prej fillimit të qershorit, mbi 1000 persona kanë hyrë thuajse çdo ditë, ndryshe nga pak kohë më parë, kur kjo shifër ishte diku te 200 emigrantë, thuhet në raport.

Kryeministri italian, Matteo Renzi ka qortuar udhëheqësit e tjerë të BE-së gjatë javës së kaluar, për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje mbi planin e shpërndarjes së rreth 40 mijë azilkërkuesve nga Italia dhe Greqia drejt vendeve të tjera të bllokut.

Siria, e cila është zhytur në një luftë civile që prej vitit 2011, ka rreth 44 mijë refugjatë, duke u bërë shteti i pari prej nga vjen fluksi më i madh i refugjatëve. Edhe paqëndrueshmëria në Libi ka shtuar fluksin e emigrantëve nga vendet e Afrikës Veriore. Eritrea dhe Afganistani janë në vendet 2 dhe 3 respektivisht, si vende origjine.

Top Channel