Egjipt, 50 viktima në Sinai nga sulmet terroriste të ISIS

01/07/2015 00:00

Militantët e Shtetit Islamik kanë nisur një sulm të koordinuar të shkallës së gjerë ndaj disa postblloqeve ushtarake në gadishullin verior të Egjiptit, Sinai, duke lënë këtë të mërkurë rreth 50 viktima dhe shumë të tjerë të plagosur, siç bëjnë të ditur burime të sigurisë në lidhje me atë që konsiderohet si sulmi më i rëndë i ndërmarrë ndonjëherë në provincën e goditur prej kryengritjeve.

Avionë ushtarakë F16 të Egjiptit, por edhe helikopterë “Apache” zaptuan menjëherë qiejt e rajonit që shtrihet në një zonë strategjike mes Izraelit, Rripit të Gazës dhe kanalit të Suezit.

Ky i sotmi rezulton të jetë sulmi i dytë ndaj objektivave të profilit të lartë në Egjipt gjatë kësaj jave. Të hënën, prokurori i Përgjithshëm u vra pas një atentati me bombë ndaj autokolonës së tij në Kajro.

Sulmet kanë rritur dyshimet në lidhje me aftësinë e qeverisë egjiptiane për të mbajtur nën fre kryengritjen me bazë në Sinai, që deri më tani ka lënë të vdekur me qindra policë dhe ushtarë. Dega egjiptiane e Shtetit Islamik mori përsipër përgjegjësinë e sulmeve në Sinai, përmes një deklaratë të publikuar në Twitter.

Ushtria bëri të ditur se 5 pika kontrolli në atë rajon u sulmuan nga rreth 70 militantë, por gjithsesi ushtarët arritën të shkatërronin tre mjete transporti të ngarkuara me armë antiajrore. Pa dhënë ende sinjalin e dështimit, zëdhënësi i ushtrisë tha se numri i viktimave mes ushtarakëve dhe ushtarëve është rritur.

Identiteti i personave të vrarë ende nuk është bërë i ditur, por burime të sigurisë thonë se të paktën 36 persona kanë vdekur, mes të cilëve ushtarë, policë dhe civilë, ndërkohë që janë vrarë edhe 38 militantë.

Top Channel