Basha: Rama i gëzohet fitores së damkosur

01/07/2015 00:00

Shumë rrallë Lulzim Basha mban fjalime të gjata, por ky ishte takimi i parë me grupin parlamentar pas zgjedhjeve dhe pjesën dërrmuese të fjalimit prej 30 minutash e zunë informacionet e detajuara se si qeveria prishi standardin e zgjedhjeve.

Kandidimi në 8 bashki i personave me precedentë kriminalë, aktivizimi masiv dhe i dhunshëm i bandave të njohura kriminale nën mbrojtjen e policisë kundër opozitës, përdorimi i administratës dhe blerja e votave me paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar përbëjnë faktet kryesore, që sipas kreut të opozitës, prishën standardin e zgjedhjeve dhe rrezikojnë të ardhmen europiane të vendit.

“Ndryshe nga sa premtuan për të vënë standartet mbi rezultatin, Rama-Meta vunë në këto zgjedhje gjithçka mbi standardet. Mbi aspiratën mbarëpopullore për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE vunë aleancën e tyre me  botën e krimit dhe korrupsionit, vunë  llogaritë e tyre të ulta dhe meskine. Rama-Meta shkelen me të dyja këmbët standartet për t’u shpallur fitimtarë në një pseudo garë me rregulla të dhunuara”, tha Basha.

Të gjitha faktet që Lulzim Basha përmendi me detaje, si shkelje të rënda të standardeve zgjedhore janë pjesë e raportit që opozita po bën gati edhe me prova konkrete, video dhe foto, për denoncimin e qeverisë në institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.

Por fjalimi i Lulzim Bashës nuk ishte vetëm kaq. Megjithëse ishte i bindur se opozita në këtë klimë të pabaratë dhe jodemokratike, ka rritje në nivel kombëtar, Lulzim Basha bëri një pohim, që nuk e kishte artikuluar më parë.

“E them me bindje. Por as e mendoj, as e them  si alibi. Unë e di se në të gjithë, me mendje dhe me zemër, kemi pritur  dhe dëshiruar një rezultat ndryshe, një rezultat më të mirë  nga ky që morëm. Unë dhe gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga baza në qendër, kemi një përgjegjësi të madhe për të analizuar në thellësi rezultatin  e këtyre zgjedhjeve kuti për  kuti, bashki për bashki; për të parë më shumë nga vetja jonë, të gatshëm të njohim dhe pranojmë defektet dhe të metat tona, pasi kështu do të bëhemi më të forte”, u shpreh Basha.

Këtu Lulzim Basha përdori fjalë për fjalë çfarë Jozefina Topalli kishte shkruar në fund të postimit të saj në “Facebook”, disa ditë më parë.

Ajo është e vetmja nga zërat autoritarë në Partinë Demokratike që nuk është mjaftuar vetëm me denoncimin e prishjes së standardit të zgjedhjeve nga qeveria, por kërkoi që Partia Demokratike të shohë më shumë nga vetja.

Jozefina Topalli ishte e vetmja sërish që diskutoi këtë çështje në mbledhjen e grupit parlamentar pas largimit të medias.

Sipas saj, për Partine Demokratike nuk ishte surprizë që në garë elektorale do të ishte me banda, kriminele dhe blerje votash, sepse me ta ishin përballur që në 2013-ën.

Në analizën e ish-nënkryetares demokrate, në kushtet kur vendi qeveriset nga një bandë politike, e vetmja rrugë e opozitës është  mbështetja tek parimet dhe integriteti moral i shoqërisë.

Për vlerat e ndershmërisë si bazë për ringritje dhe fitore kishte folur edhe me herët Lulzim Basha, kur përmendi letrën e ambasadorit amerikan për Halim Kosoven.

“Unë gjej rastin të falenderoj nga zemra ambasadorin Lu. Vlerat e Halim Kosovës janë vlerat referuese tonat për sot dhe nesër. Promovimi i këtyre vlerave na frymëzon dhe na mbush me besim se në dy vitet e mbetura të legjislaturës rritja jonë do të dyfishohet, ndërsa rënia e kundërshtarëve tanë do të futet në ritmin e konsumimit të përshpejtuar . Vota e 21 qershorit është dëshmia më e qartë që ne ia dolëm të qëndrojmë e të ngrihemi. Por për të arritur fitoren që të gjithë duam duhet të ringrihemi mbi këtë  besim  dhe këtë forcë. Bashkim, ribashkim, hapje, për të ftuar e  bashkëpunuar me këdo dhe me të të gjithë ata që pranojnë të ndajnë opozitën me ne dhe jo interesin”, tha kreu i PD-së.

Top Channel