Prishtinë, dixhitalizohen biletat e udhëtarëve të autobusëve

01/07/2015 00:00

Për herë të parë në Kosovë, të mërkurën u bë dixhitalizimi i biletave të autobusëve, që do të sjellë përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit dhe më shumë transparencë për të shmangur keqpërdorimet. Tashmë, udhëtarët pajisen me biletën e re elektronike, e cila ka disa masa mbrojtëse.

“Tani e tutje do të dihet saktësisht numri i udhëtarëve në secilin udhëtim dhe do t’iu bëjmë me dije autobusëve se, nëse nuk blihet bileta në stacion dhe bëhen ndalesa që nuk janë të lejuara, ato do të dënohen”, tha kryetari Ahmeti, i cili mori pjesë në ceremoninë e dixhitalizimit.

Dixhitalizimi është bërë edhe për hyrje-daljet e automjeteve në stacionin e autobusëve.

“Ideja e kësaj ka qenë, që përmes dixhitalizimit, të bëhet puna më e lehtë, por efekti kryesor i dixhitalizimit të këtyre shërbimeve ka të bëjë me rritjen e transparencës dhe rritjen e të ardhurave në stacionin e autobusëve. Ky dixhitalizim e pamundëson vendimin arbitrar të individëve, për të treguar se kush mundet të hyjë. Një autobus, i cili nuk është i regjistruar dhe nuk ka marrëveshje me stacionin e autobusëve, nuk mund të hyjë në stacion pa bërë pagesën. Në të ardhmen planifikojmë të bëjmë ndërlidhjen e stacionit të autobusëve, si stacion ndërurban, me trafikun urban. Kjo i ka kushtuar stacionit të autobusëve 35 mijë euro”, tha Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës.

Shefi ekzekutiv i stacionit të autobusëve në Prishtinë, Nol Dedaj tha se, këto shërbime po bëhen më cilësore, në mënyrë që të rritet buxheti i stacionit dhe më pas të vazhdohet me fazat e tjera, në dixhitalizimin tërësor të të gjitha shërbimeve brenda stacionit të autobusëve në Prishtinë.

“Sot u bë hapja solemne e trarëve elektronikë dhe dixhitalizimi i biletës. Në fazën e parë që kemi bërë, është përshkruar se, ata që kanë pagesën mujore dhe ata që i kryejnë shërbimet brenda stacionit, e kanë pagesën mujore. Në këtë formë, sistemi i pranon tabelat e regjistrimit dhe hapet në mënyrë automatike. Pagesa në trarët elektronikë për automjetet e vogla është 1 euro”, tha Nol Dedaj, kryeshef ekzekutiv i stacionit të autobusëve në Prishtinë.

Për shitjen e biletave të udhëtimit janë hapur 3 sportele, ndërsa dy të tjera shërbejnë për shitjen e biletave të parkingut.

Top Channel