Viktimat e dhunës seksuale, përcaktohet rregullorja e procedurave për njohjen e statusit

01/07/2015 00:00

Në mbledhjen e katërt të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të mërkurën është prezantuar projektrregullorja për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarave.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, pas një pune njëvjeçare, ky është një hap i fuqishëm në procesin e garantimit të njohjes ligjore për këta të mbijetuar, duke përmbushur detyrimin institucional ndaj viktimave të dhunës seksuale.

“Unë jam e bindur dhe pres nga qeveria e vendit, të marrë sa më parë vendimet e nevojshme, që do t’i hapin rrugën formimit të komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ashtu siç e parashikon edhe ligji. Në bazë të akteve nënligjore, të fillojë gjithashtu procesi i verifikimit dhe marrjes së përfitimeve nga ana e të mbijetuarve, duke përmbushur kështu edhe këtë detyrim institucional, që kemi marrë ne dhe që kemi ndaj tyre”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se, trajtimi i drejtë dhe përfshirës i viktimave të dhunës seksuale është shumë kompleks, ndaj dhe u zotua se të mbijetuarit do të trajtohen me prioritet nga ministria, që ai drejton.

“Jemi të zotuar se, të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë, të cilat rrjedhin nga ligji që trajton këtë kategori, do t’i trajtojmë me prioritet, si në punësim, aftësim, riaftësim dhe në të gjitha projektet e skemat, në të cilat ne menaxhojmë si institucione”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Ministria e Drejtësisë ka formuar një grup pune për përpilimin e planit të veprimit, për të sjellë drejtësi për të mbijetuarit, por problematik mbetet bashkëpunimi me Serbinë.

“Më lejoni të filloj nga premisa se, çështja në fjalë është shumë më komplekse sesa është menduar deri tani, duke pasur parasysh se ndërlidhet me elementë shumë të ndjeshme dhe njëkohësisht, përveç se kërkon bashkëpunim ndërinstitucional në Kosovë, një ndër aspektet më problematike është edhe ai i bashkëpunimit me shtetet fqinje, përkatësisht me Serbinë”, tha Lirak Çelaj, zëvendësministër i Drejtësisë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell, e cilësoi si mision të çmueshëm mbështetjen shtetërore ndaj këtyre viktimave, ndërsa njohjen ligjore si të arritur të madhe.

“Një arritje shumë e madhe në këtë mes është njohja ligjore e viktimave të dhunës seksuale. Kjo u mundëson atyre të kenë mbështetje shtetërore për pension, fuqizim ekonomik dhe qasje në kujdesin shëndetësor, në njërën anë, kurse në anën tjetër, ato ndihen se nuk janë më vetëm, dhe se tani edhe shteti po njeh dhimbjen dhe vuajtjen e tyre. Por, meritë kanë edhe të tjerët, ndaj dhe tani të gjithë bashkë do të kërkojmë, që autorët e krimit të dalin para ligjit”, tha Ruairi O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Gjatë mbledhjes u prezantua edhe formulari i aplikimt për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe u bë e ditur se, gjatë muajit korrik, projektrregullorja do të paraqitet për miratim në Qeverinë e Kosovës. Ndërsa procesi i aplikimit parashikohet të fillojë në tremujorin e fundit të vitit.

Top Channel