Ambasadorët mbledhin fakte për zgjedhjet. “Procesi i mirorganizuar, por presim raportin e ODIHR-it”

01/07/2015 00:00

Në ambientet e selisë së Delegacionit Europian në Tiranë, më ftesë të ambasadores Romana Vllahutin dhe në praninë e të gjithë ambasadorëve të BE-së, është zhvilluar një seancë dëgjimore me organizatat joqeveritare që monitoruan zgjedhjet e 21 Qershorit.

Në përfundim të takimit, Top-Channel intervistoi disa prej ambasadorëvë, të cilët fillimisht japin vlerësimet e tyre për këto zgjedhje. “Sigurisht që ka përparim, por mbeten gjëra ende për të përmirësuar”, u shpreh ambasadori italian, Massimo Gaiani.

“Mendoj se këto zgjedhje shënuan përmirësime krahasuar me ato të shkuarat. U zhvilluan në një atmosferë të qetë. Ne jemi në pritje të raportit final të OSBE-ODIHR, që ishte në pozitat e një fotografimi të gjerë të situatës. E presim me shumë interes këtë raport, pasi ata kishin më shumë njerëz në terren”, tha ai anglez Nicholas Cannon.

“Ne të gjithë patëm diskutime. Përshtypjet janë pozitive, pasi pati përmirësime, por siç thotë edhe raporti i ODIHR-it mbeten ende gjëra për t’u përmirësuar”, tha spanjollja Silvia Josefina Cortes.

“Biseduam së bashku me ambasadorët e tjerë dhe mendimi ynë është se këto zgjedhje shënuan përparime krahasuar me ato incidente që pamë në vitin 2011 apo edhe në 2013-n. Natyrisht folëm edhe për disa probleme. Gjithmonë ka vend për përmirësime, pasi zgjedhjet janë çelësi i demokracisë dhe në këtë këndvështrim zgjedhjet në përgjithësi shkuan mirë, por patjetër ka vend për përmirësime. Ne do të jemi këtu për t’ju ndihmuar si gjithmonë”, tha diplomati grek Leonidha Rokanas.

“Unë personalisht ndoqa zgjedhjet në rajonin e Pukës dhe Matit. Nga ajo që vura re gjithçka ishte e mirorganizuar. Nuk pashë asnjë problem atje ku isha. Unë bie dakord më ato deklarata zyrtare të bëra nga përfaqësuesit e BE-së dhe të OSBE-ODIHR”, tha Antal Heizer, ambasador i Hungarisë.

Ambasadorët dhanë këto përgjigje për pyetjen nëse këto zgjedhje plotësuan kriteret e Kopenhagenit.

“Është komplekse, por na lini të presim raportin final të OSBE-ODIHR. Kriteret e Kopenhagenit janë diçka e madhe. Dua ta theksoj se situata zgjedhore ka bërë përparime. Situata ishte e qetë, nuk u shënuan incidente të një shkalle të lartë. Kjo më bën t’ju them se është hedhur një tjetër hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, le të presim e të shohim se çfarë duhet përmirësuar”, tha ambasadori Gaiani.

“Për këtë më mirë le të flasin ekspertët. Unë ndoqa zgjedhjet në 12 qëndra votimi, por ishin me mijëra në të gjithë vendin dhe nuk do të ishte e drejtë të bazohesha vetëm në observimin tim. Le të presim raportin e ODIHR-it për të ndërtuar një opinion bazuar në atë”, tha Cannon.

“Bazuar në të gjitha opinionet, këto ishin zgjedhje shumë herë më mirë të organizuara krahasuar me ato të shkuarat në historinë e Shqipërisë. Tendenca është pozitive. Nëse i keni përmbushur apo jo kriteret, kjo mbetet të shihet në vlerësimin konkret. Le te presim”, tha më tej ambasadori Heizer. 

Top Channel