Ligjet miratojnë në parim pr.ligjin për arsimin e lartë

01/07/2015 00:00

Deputetët e mazhorancës në komisionin e ligjeve kanë miratuar në parim projektligjin për arsimin e lartë, duke e cilësuar në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.

Debati është fokusuar mbi kapitullin 12, i cili parashikon që me fondet publike të financohen edhe institucionet private të arsimit të lartë, të cilët brenda 3 deri në 5 vjet duhet të heqin dorë nga fitimet dhe të kthehen në fondacione jofitimprurëse.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se do të ketë kritere të qarta të përcaktuara me akte nënligjore për institucionet që do të përfitojnë nga kjo formë e re financimi.

“Kapitulli 12 i këtij pr.ligji është një mundësi e re që i lihet institucioneve tona publike dhe private, për ta zgjeruar autonominë deri në kufijtë e lirisë, për ta bërë konkurrencën më të drejtë dhe me filtra të qartë për të shkuar në këtë status të ri. Gjithashtu, ligji bën më të drejtë financimin publik për studentët, duke u qëndruar pranë atyre në nevojë e që për mundësi financiare nuk ndjekin dot studimet”, deklaroi Nikolla.

Në projektligj do të parashikohet edhe skema e kontrollit të shpenzimeve të parave që universitetet kryejnë nga të ardhurat dytësore, theksoi ministrja e Arsimit.

Relatorja e këtij projektligji, Vasilika Hysi, në fjalën e saj tha se është e rëndësishme të dihet kostoja financiare e zbatimit të këtij projektligji, i cili parashikon edhe ngritjen e disa agjencive.

Top Channel