Nafta e peshkimit me akcizë, biznesi: Shkatërrim për këtë sektor

01/07/2015 00:00

Kompanitë e peshkimit e konsiderojnë të papranueshëm një udhëzim të qeverisë që e detyron sektorin e peshkimit të paguajë akcizë për naftën, e cila sipas ligjit është e përjashtuar nga disa taksa, për të lehtësuar këtë sektor.

Përfaqësues të këtij biznesi thonë se, nëse do të mbetet në fuqi ky udhëzim do të jetë shkatërrues për sektorin e peshkimit.

“Ky udhëzim ka dalë pasi është votuar një ligj përpara, që përjashton anijet e peshkimit nga taksa. Këtu hyn edhe TVSH-ja dhe unë mendoj se është një lapsus që thuhet se duhet të paguhet TVSH-ja e naftës”, thotë Gjergj Luca, përfaqësues i Shoqatës së subjekteve të peshkimit.

Subjektet në fjalë kërkojnë konsultime të autoriteteve me grupet e interesit, në mënyrë që legjislacioni të jetë efikas dhe për të shmangur burokracitë dhe korrupsionin.

“Nëse ky udhëzim do të konsultohej me ne, sepse është reforma më e madhe pas 25 vjetëve që ne i kemi kaluar në det si Odisea duke kërkuar naftë, situata do të ishte ndryshe. Por përfaqësuesi i qeverisë nuk ulet me ne për të gjetur një udhëzim që t’i shërbejë këtij komuniteti”, nënvizon Luca.

Ai argumenton se TVSH-ja e naftës nuk duhet paguar nga subjektet e peshkimit. “Ajo paguhet nga blerësi, si në gjithë botën. Blerësi është tregëtari, ai duhet të paguajë faturën e bazës dhe vlerën e TVSH-së në bankë, sepse ai e nxjerr nesër në shitje dhe më pas shkon tek klienti”, shton Luca.

Top Channel