Drejtësia, Hoffman: Investitorët gjermanë të pakënaqur nga situata

01/07/2015 00:00

Reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për të përmirësuar situatën në vend dhe për të vendosur barazinë para ligjit për të gjithë.

Nga Durrësi, ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman tha se, të paktën që nga korriku i vitit 2013, asnjë gjyqtar apo prokuror nuk është dënuar në vend, ndërsa komuniteti i biznesit është i pakënaqur dhe gati të tërheqë investimet.

“Nga bisedat që kam pasur me investitorët gjermanë në Shqipëri kam mësuar se ata janë të pakënaqur dhe shprehen të gatshëm për t’u tërhequr nga vendi. Ky shqetësim është bërë prezent edhe gjatë takimit të fundit të kancelares Angela Merkel me kryeministrin Rama”, deklaroi Hoffman.

I pranishëm në konsultimin publik mbi reformën në drejtësi, kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Rauning e vuri theksin tek rëndësia e konsultimeve që siguron sukses të reformës. Ai e vuri gjithashtu theksin tek efiçenca e sistemit.

“Menaxhimi aktiv i çështjeve garanton pjesëmarrjen e të gjitha palëve në çdo seancë, duke pakësuar rastet e korrupsionit. Regjistrimi audio rrit transparencën, sepse garanton një procesverbal objektiv dhe të plotë të gjykimit, duke i dhënë palëve besim tek saktësia e të dhënave. Këto janë themelet e sistemit të drejtësisë në këtë shekull”, deklaroi Rauning.

Ai tha se Shqipërisë i duhet një plan zbatimi dhe i ofroi Kuvendit mbështetjen e prezencës së OSBE-së në hartimin e tij, duke u bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare.

Konsultimet publike të dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri – 2015” janë ndërmarrë nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, që ndihmon komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi.

Top Channel