Merkel: S’ka ndihma para referendumit. Jo kompromis me çdo kusht

01/07/2015 00:00

Angela Merkel është e papërkulur përballë qëndrimeve të kryeministrit grek Alexis Tsipras, të shfaqura me një letër të dërguar natën mes së martës dhe së mërkurës në Bruksel.

Në letrën në fjalë Tsipras pranonte në thelb të gjitha pikat e propozimit të diskutuar në nivel teknik, por pa tërhequr referendumin.

“Nuk ka negociata për ndihma të reja para referendumit në Greqi. Athina nuk i ka respektuar plotësisht detyrimet e saj, edhe pse dyert për negociata mbeten të hapura”, ka thënë kancelarja.

Ajo është shprehur se, Greqia ka të gjitha të drejtat për konsultime të brendshme mbi propozimet e BE-së, “por partnerët europianë kanë po ashtu të njëjtat të drejta që t’i përgjigjen rezultatit”, ka thënë Merkel, duke iu referuar referendumit.

“Jo kompromisit me çdo kusht”, ka shtuar ajo.

Nga Berlini, edhe kryeministri italian, Matteo Renzi e ka vlerësuar si veprim të gabuar mbajtjen e referendumit grek mbi kushtet e BE-së.

“Me kancelaren Merkel kemi folur gjatë për Greqinë dhe kemi rënë dakord se referendumi është një gabim”, ka thënë Renzi.

Top Channel