Investimet gjermane në Shqipëri, Veliaj dhe Klosi: Zgjidhni arsimin profesional

01/07/2015 00:00

Duke e cilësuar këtë javë si shumë të rëndësishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, qoftë për vizitën e kancelares Merkel në Tiranë, qoftë edhe për hapjen e bizneseve të reja gjermane në kryeqytet, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vlerësuar këto nisma biznesi të cilat do të hapin deri në 1 mijë vende pune në kryeqytet.

“Tirana të jetë në pararojë të hapjes së biznesit ndaj Gjermanisë. Konteksti në të cilin po ndodhin të gjitha këto investime është një kontekst fantastik për t’ia filluar një biznesi. Ky është një lajm i mirë për Vaqarrin dhe Tiranën sepse kompania do të punësojë brenda vitit, 1 mijë vetë”, tha Veliaj.

Duke u ndalur tek ambicia e bashkisë së re të Tiranës, Veliaj theksoi se prioritet është që, duke bashkëpunuar me kompani te suksesshme, 50% e punësimeve të reja që ndodhin në Shqipëri të ndodhin në Tiranë, për t’u siguruar që Tirana të jetë qyteti që vendos shembullin e të bërit biznes të suksesshëm në Shqipëri.

Nga ana e tij, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinise, Blendi Klosi falenderoi të gjitha kompanitë e huaja që vendosin të investojnë në Shqipëri duke shprehur mbështetjen e qeverisë.

“Bashkia e re e Tiranës ka shumë vend për kompani të suksesshme dhe me kaq emër të madh. Çdo investitor do të marrë falenderimet e qeverisë shqiptare”, tha Klosi.

Si Veliaj ashtu edhe Klosi, duke parë investimet e fundit në vend, i bënë edhe njëherë thirrje të gjithë të rinjve që të zgjidhni arsimin profesional sepse edhe vendet e punës që po hapen synojnë ata studentë që kanë një zanat.

Top Channel