Ndërpriten bisedimet me Greqinë, Eurozona: Flasim pas referendumit

01/07/2015 00:00

Qëndrimi disi i ndryshuar i Aleksis Tsipras, i mblodhi sërish në një telekonferencë  të përbashkët ministrat e Financave të Eurozonës. Megjithatë mosdistancimi i tij nga referendumi  i së dielës, ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në vendimin e liderëve të Unionit për të pritur rezultatin e votave të popullit grek, duke mos u nxituar për të aprovuar një plan ndihme shtesë për Greqinë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri sllovak, Peter Kazimir pas një takimi të zhvilluar në Bruksel.

“Eurogrupi vendosi unanimisht që të presë rezultatin e referendumit grek para se të zhvillohen bisedime të mëtejshme”, ka thënë Kazimir.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai është shprehur: “Të mos vendosim karrocën përpara kalit”.

Po përmes statuseve në Twitter, përfaqësues të Eurogrupit njoftuan se si do të zhvillohen bisedimet e mëtejshme mes tyre.

Donald Tusk, president i KiE: “Europa kërkon ta ndihmojë Greqinë. Por ne nuk mund ta ndihmojmë kundër vullnetit të saj. Pra, le të presim për referendumin e së dielës”.

Ashtu sikurse presidenti i Këshillit Europian, edhe shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijsselblooem mbrojti tezën se Unioni nuk do të mbajë takime derisa grekët të japin verdiktin me votën e tyre.

Jeroen Dijsselblooem, president i Eurogrupit: “Vendimi ynë nuk ndryshon. Sikurse kemi njoftuar edhe më parë, Athina nuk do të marrë një dorëzani të tretë. Duke pasur parasysh situatën politike në Greqi, refuzimin e propozimeve të mëparshme nga ana e tyre dhe referendumi i cili do të mbahet të dielën, na shtyjnë ne drejt kësaj pike për të mos pasur asnjë arsye konkrete për bisedime”.

Top Channel