Engel: Lobim për Kosovën në Izrael, Karaibe dhe Amerikën Latine

01/07/2015 00:00

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka vazhduar të mërkurën takimet me zyrtarët e lartë në Prishtinë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare.

Gjatë paradites ai është pritur nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi dhe përfaqësuesit fetarë të Kosovës. Ky takim është bërë në kuadër të Dialogut Ndërkombëtar, një nismë kjo e Ministrisë së Jashtme dhe projektit të Diplomaicsë Publike në fushën e dialogut ndërfetar.

Zëvendësministri Selimi paraqiti projektin e këtij dialogu, përfshirë këtu synimet kryesore të diplomacisë kosovare në përmirësimin e imazhit të Kosovës dhe promovimit të tolerancës. Zyrtari amerikan i dha mbështetje zëvendësministrit dhe ekipit të nismës për dialog ndërfetar.

Ai shprehu mirënjohjen për vendosjen e gurit të Holokaustit në oborrin e qeverisë së Kosovës dhe theksoi se Kosova është shteti që mund t’i tregojë botës se nuk ka nevojë të frikësohet nga shumica myslimane, por të marrin mësim sesi shumica është respektuese dhe promovuese e tolerancës dhe mbrojtjes së pakicës.

Kongresmeni Engel po ashtu premtoi përkrahje të vazhdueshme edhe për projektet e Ministrisë së Jashtme për lobimin në Izrael, Karaibe dhe Amerikën Latine.

Më pas, ai u prit edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadorja amerikane Tracy Jacobson, biznesmeni shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, etj.

Pasdite, Engel mori pjesë në ceremoninë e nderimit për të nga komuniiteti shqiptaro-amerikan, për kontributin 30-vjeçar në promovimin e afirmimit të çështjes së Kosovës.

Top Channel