239-vjetori i Pavarësisë së SHBA, Lu shmang komentet për politikën

01/07/2015 00:00

239-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është festuar në Pallatin e Brigadave përmes pritjes tradicionale të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit.

Në këtë eveniment, ambasadori Donald Lu shmangu komentet politike. Të gjithë fjalën përshëndetëse ai ia kushtoi njerëzve me aftësi të kufizuara, pasi këtë vit festohet edhe 25-vjetori i ligjit për amerikanët me aftësi të kufizuara.

Nëpërmjet mesazit të tij, ambasadori Lu inkurajoi dhe mbështeti përpjekjet e Shqipërisë në përmirësimin e jetesës së qyetetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara.

“Amerikanët janë më shumë se sa thjesht çizmet e kaubojsave nga filmat e Hollywood-it. Ne jemi një komb i themeluar mbi idenë e thjeshtë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Sot, në këtë ditëlindje të 239 të Shteteve të Bashkuara ne festojmë larminë e popullit amerikan. Anembanë Shteteve të Bashkuara ne po kujtojmë 25-vjetorin e ligjit që u garanton të drejta të barabarta personave me aftësi të kufizuara. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë bashkë vizionin që të gjithë qytetarët tanë të kenë mundësinë të shfaqin potencialin e tyre të plotë. Shpresoj se do të bashkoheni me mua në një duartrokitje për të kremtuar ditëlindjen e Amerikës dhe për të festuar arritjet e amerikanëve dhe të shqiptarëve me aftësi të kufizuara si dhe kontributet e tyre frymëzuese për të dy kombet tona të mëdha”, është shprehur ambasadori Lu.

Ndërsa zëvëndësministrja e Mirëqënies Sociale, Bardhylka Kospiri tregoi dy histori suksesi të dy qyetarëve shqiptarë me aftësi të kufizuara që janë vënë në ndihmë të këtij komuniteti.

Ky event i përvitshëm i Ambasadës Amerikane shërbeu për të mbledhur së bashku jo vetëm miqtë e Shteteve të Bashkuara, por edhe aktorët e politikës shqiptare.

Kryetari në ikje i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte shumë afër me pasardhësin e tij Erion Veliaj, por mungoi një shtrëngim duarsh.

Ish-kreu i demokratëve, Sali Berisha, që prej momentit të mbërritjes, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në shoqërinë e ambasadorit francez dhe kryetares së komionit parlamentar të integrimit, Majlinda Bregu.

Top Channel