Jep dorëheqjen drejtori i Hetimit Tatimor, Prençi

02/07/2015 00:00

Kreu i Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Ahmet Prençi ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook, ai ka sqaruar edhe disa keqkuptime sa i përket aktit të dorëheqjes së tij.

“Në respekt të opinionit të gjerë publik dhe të miqve të mi, duke konfirmuar dorëheqjen time si Drejtor i Hetimit Tatimor, saktësoj se kjo dorëheqje i është paraqitur vetëm drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, në përputhje me varësinë dhe emërtesën. Unë nuk ia kam paraqitur dorëheqjen kryeministrit, sepse nuk jam emërtesë e tij”, ka shkruar Prençi.

Gjithashtu, ish-kreu i Hetimit Tatimor ka sqaruar se arsyet e dorëheqjes janë në shkresën që tashmë gjendet në tryezën e titullares së institucionit të Tatimeve, ndërsa ka shtuar se komentet për këtë çështje janë të tepërta.

Disa vite më parë, Prençi ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa më pas kaloi si një nga drejtuesit e departamenteve në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive.

Top Channel