Tunizi, 12 të arrestuar për masakrën në Souse

02/07/2015 00:00

Të paktën 12 të dyshuar janë arrestuar në Tunizi, në lidhje me sulmin e rëndë të së premtes së kaluar në resortin turistik Souse, ku humbën jetën 38 vetë.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, të cituara nga mediat ndërkombëtare, sipas të cilave forcat e sigurisë janë në kërkim edhe të dy personave të tjerë.

Nga hetimet e autoriteteve tuniziane është zbuluar se dy të kërkuarit ishin stërvitur bashkë me atentatorin (që mbeti i vrarë) në një kamp terrorist në Libi.

Pjesa më e madhe e personave që humbën jetën në plazhin në Souse ishin nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Belgjika etj.

Qeveria tuniziane druhet se sulmi do të dëmtojë industrinë e saj të turizmit.

Ndërkohë, në vend kanë nisur të zbatohen masat e para të Ministrisë së Brendshme. Kështu, është zyrtarizuar pezullimi i shefave të njësive të sigurisë në lokalitetet Souse, Monastir dhe Kairouan.

Lëvizjet në fjalë ishin të pritshme, pas kritikave të forta se sulmet e javës së kaluar treguan se masat e sigurisë kishin qenë me defekte.

Ndërkohë, strukturat e shërbimeve sekrete kanë arrestuar në lokalitetin Sfaks tre persona të akuzuar si anëtarë të një celule terroriste të sapoformuar, të lidhur me Shtetin Islamik dhe e përbërë nga 6 persona, 3 prej të cilëve janë në arrati.

Të dyshuarit si xhihadistë, pas arrestimit janë transferuar në selinë e njësisë së anti-terrorit në kryeqytetin Tuniz për t’u marrë në pyetje.

Top Channel