Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur shqyrtimin e çështjes më të vështirë të këtyre zgjedhjeve, atë të Bashkisë Vorë.
LSI-ja ka kërkuar ripërsëritjen e zgjedhjeve në këtë bashki, ku fitoi kandidati demokrat Fiqiri Ismaili me 258 vota.
Por, këshilltarët ligjorë të LSI-së paraqitën pranë KQZ-së fakte që sipas tyre, votues fiktivë kanë favorizuar kandidatin e djathtë. FIqiri Ismaili, sipas LSI-së, fitoi nga ata që Ylli Manjani i quajti “jabanxhinjtë elektoralë”.
Sipas provave të sjella nga partia e drejtuar nga Ilir Meta, pretendohet se të paktën rreth 360 votues kanë votuar kandidatin e djathtë, nga rreth 600 zgjedhës që janë regjistruar vetëm për të votuar në këtë bashki sipas kësaj partie.
Por, përfaqësuesit ligjorë të opozitës, deklaruan se nuk është kompetencë e KQZ-së të hetojë mbi lëvizjen e zgjedhësve dhe se kjo çështje është duke u hetuar nga prokuroria.
Debati ka vijuar përreth tre orë në sallën e KQZ-së, por vendimmarrja u shty për pasditen e sotme.
Top Channel