Karkaleci “sulmon” fshatrat në Vlorë. Insekti shkreton të mbjellat

02/07/2015 00:00

Karkaleci ka shkatërruar të mbjellat në fshatrat e Vlorës dhe Drejtoria e Bujqësisë nuk merr asnjë masë për të luftuar insektin që po shkakton dëme të konsiderueshme tek fermerët vlonjatë.

Situata është alarmante, thonë fermerët, pasi përveç bujqësisë, po dëmtohet edhe blegtoria, e cila nuk ka me se të ushqehet. Fermeri Fejzo Kanani shprehet: “Kishim mbjellë misër e jonxhë, por ka mbetur vetëm kërcelli. Thonë që kanë sjellë ilaç për karkalecin në komunë, por nuk na kanë dhënë gjë deri tani. Masat duhet të ishin marrë para disa kohësh gjithsesi, sot nuk ke çfarë bën”.

Kjo situatë alarmante paraqitet në fshatrat Shkozë, Sevaster, Pet, Mavrovë, Gjormë, Vajzë etj. Banorët e këtyre fshtrave bëjnë apel për ndihmë, pasi çdo ditë që kalon, karkaleci po shtohet duke pushtuar të mbjellat dhe i shkatërruar ato. Janë mbi 100 ha tokë e mbjellë me jonxhë, misër, shalqi, por dhe fidanë si ajo e ullirit, ku fermerët nuk mund t’i mbrojnë dot pasi i mungon ilaçi i cili do t’i luftonte karkalecat.

Kryetari i Shoqatës së Fermerëve të kësaj zone i bën thirrje Ministrisë dhe Drejtorisë së Bujqësisë Vlorë që të vijnë në ndihmë fermerëve. “Të merren masat në luftën kundër karkalecit. Të vijnë ta shohin vetë këtë gjendje alarmante”, thotë Kastriot Shehu.

Të mbjellat në fshatrat e Vlorës nuk janë favorizuar as nga thatësira në këtë sezon, thonë fermerët, dhe spërkatja me helm të paktën për t’i mbrojtur nga karkaleci, do t’i ndihmonte disi ata.

Top Channel