Lahm konfirmon: Nuk kthehem në kombëtaren gjermane

02/07/2015 00:00

Philipp Lahm konfirmoi se nuk ka ndërmend të kthehet të luajë me përfaqësuesen gjermane. Kapiteni i Bajernit të Mynihut, që dha një kontribut të rëndësishëm në fitoren e skuadrës së drejtuar nga Joachim Low në Botërorin e vitit 2014, theksoi se në këtë moment ka të tjera prioritete në jetën e tij.

“Nuk do të kthehem në kombëtaren gjermane. Ata që më njohin, e dinë se kur e marr një vendim nuk e kthej më. Nuk kishte moment më të mirë për mua për t’i dhënë fund karrierës me kombëtaren sesa suksesi në finalen e Kupës së Botës kundër Argjentinës në Maracana. Jeta ime private ka qenë gjithnjë më e rëndësishme se ajo profesionale. Lindja e fëmijve të mi është moment më i bukur në jetën time se fitorja në Brazil”, ka thënë Lahm, në një intervistë për “France Football”.

Futbollisti 31-vjeçar ka pranuar se, tek Gjermania janë penduar që e mundën Brazilin me rezultatin e thellë 7-1 në gjysmëfinale të Botërorit, që zhvillohej pikërisht në vendin amerikano-latin: “Në futboll nuk ekziston mëshira, por jemi penduar që shkatërruam skuadrën e vendit organizator të Botërorit në atë mënyrë”.

Top Channel