Kuvend, Tahiri: Zgjedhjet, më të mirat në histori. Berisha: Procesi, krim shtetëror

02/07/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë fjalës së tij në seancën plenare të së enjtes, deklaroi se zgjedhjet e 21 Qershorit ishin më të mirat dhe më të ndershmet që janë organizuar ndonjëherë në Shqipëri.

“Partnerët ndërkombëtarë panë nga afër që zgjedhjet ishin më të ndershmet dhe më të mirat që kur janë organizuar zgjedhjet puraliste në këtë vend. Qytetarëve u janë dukur “shumë të qeta për të qenë zgjedhje”. Këtë e kanë thënë shumica e njerëzve dhe e kanë thënë kundërshtarët tanë politikë. Nuk kishte mbetur njeri që nuk i perceptonte zgjedhjet si ditë stresi kolektive, por kjo gjë tashmë ka ndryshuar”, tha Tahiri.

Ministri nënvizoi se meritën për këtë e kanë së pari qytetarët: “Fituesit e vërtetë të zgjedhjeve janë qytetarët. Është meritë e tyre që sot mund të themi që kemi hedhur një hap përpara duke arritur standardet më të larta demokratike për zgjedhjet më të lira dhe të ndershme të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri”.

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke reaguar ndaj deklaratave të Tahirit, ka ritheksuar se, në zgjedhjet e 21 qershorit u bë një krim shtetëror.

“Zgjedhjet u udhëhoqën nga bota e krimit. Rama u tha njerëzve të tij, më duhen Bushi dhe Roshi. Rama tha, më duhen paratë e pista të drogës”, ka thënë Berisha.

Më tej ish-shefi i qeverisë ka komentuar edhe largimin e Arben Frrokut, një ditë para dënimit të tij me burgim të përjetshëm nga gjykata.

“Arben Frroku u lirua për të blerë votat në Pukë dhe e nisën në Kubë pasi mbaroi misionin. Shpirti i komisarit të vrarë do t’ju ndjekë pas”, u ka thënë Berisha deputetëve të mazhorancës.

Top Channel