Turi i Francës 2015, triumfuesi përfiton 450 mijë euro

02/07/2015 00:00

Zbulohen shifrat e shpërblimeve që do të shpërndahen për fituesit në edicionin e 102-të të Turit të Francës që nis këtë fundjavë në Utreht.

Në total shuma e akorduar është pak më shumë se 2 milionë euro, ndërkohë që kampioni do të përfitojë 450 mijë euro. Çiklisti që do të klasifikohet në vendin e dytë, në renditjen e përgjithshme, do të përfitojë 200 mijë euro, ndërsa ai i vendit të tretë do të sigurojë një shpërblim prej 100 mijë eurosh.

Organizatorët kanë vendosur të bëjnë një shpërndarje të shpërblimit edhe në bazë të fitoreve të etapave. Kështu, fituesi merr 8 mijë euro, vendi i dytë 4000, ndërsa i treti 2000. Një shpërblim është dhënë edhe për mbajtjen e fanelës së verdhë me 450 Euro në ditë, ndërsa fituesit e etapës kronometër ekipor do të përfitojnë 10 mijë euro.

Ajo që të bën përshtypje është se ky shpërblim i akorduar për Turin e Francës është shumë modest në krahasim me atë që jepen në turneun e tenisit, Roland Garros, ku fituesi siguron 1.8 milionë euro, ndërsa ata që eliminohen që në raundin e parë marrin një shpërblim prej 27 mijë eurosh.

Top Channel