Situata e Greqisë ka vëmendjen maksimale jo vetëm nga liderët europianë, por edhe nga përtej Atlantikut. Barack Obama ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me kryeministrin italian Matteo Renzi për këtë çështje, gjatë së cilës, siç pohohet nga shtypi vendas, që të dy liderët kanë qenë të njëzëshëm mbi nevojën e angazhimit të të gjitha palëve për ta rivendosur Greqinë në rrugën e reformave dhe të financimeve, që do ta çonin shtetin helen drejt rritjes ekonomike dhe aftësimit për shlyerjen e borxheve.

Njoftimin e bëri Shtëpia e Bardhë, e cila thekson në deklaratën për shtyp të lëshuar me këtë rast se si Presidenti amerikan, ashtu edhe kreu i ekzekutivit në Romë, theksuan faktin që skuadrat e tyre janë në kontakt të ngushtë me njëra-tjetrën e po monitorojnë me kujdes zhvillimet ekonomike në Greqi, ashtu siç janë duke mbajtur nën mbikëqyrje edhe reagimet e tregjeve financiare.

Ndërkohë, agjencia e vlerësimit të riskut Moody’s e uli sërish me një shkallë “rating”-un e Athinës, duke e zhytur akoma më shumë në territorin e “junk”-ut. Shkak për këtë lëvizje është referendumi i së dielës, që agjencia në fjalë e percepton si “rrezik të shtuar”, pasojat e të cilit mund të rëndojnë mbi kreditorët privatë.

Për këtë arsye, ekspertët e Moody’s e çuan “rating”-un e Greqisë nga Caa2 në Caa3, që tregon dështimin e pritshëm në shlyerjen e huave. Fitorja e “jo”-së, sipas ekonomistëve, do të shtonte rrezikun e daljes nga eurozona dhe mund t’u sjellë humbje të konsiderueshme huadhënësve privatë.

Në fillim të javës, edhe Standard and Poor’s uli vlerësimin e saj për katër banka greke.

Top Channel