Qeverisja e re vendore, Rama fton në takim krerët e 61 bashkive të reja

02/07/2015 00:00

Top-Channel ka mësuar nga një i sapozgjedhur në pushtetin vendor se zyra e kryeministrit Rama ka nisur lajmërimet për të gjithë të zgjedhurit e 21 qershorit, për një takim ditën e hënë lidhur me rrugën e re të bashkepunimit mes qeverisë dhe 61 njësive vendore.

Këtë e konfirmon edhe një i zgjedhur nga kampi opozitar që kërkoi të mbetet anonim. I pyetur nga Top-Channel për këtë takim, ai tha se “nuk e priste kaq shpejt këtë ftesë të kryeministrit Rama”, por për momentin nuk mund të konfirmonte prezencën e tij.

Kjo ftesë i ka gjetur të papërgatitur dhe njëkohësisht të befasuar të zgjedhurit nga kampi i djathtë, në një kohë kur gjatë fushatës elektorale kryetari Basha deklaronte se “Edi Rama nuk do të bashkëpunojë me të zgjedhurit e djathtë”.

Ndërsa Rama, me dhjetëra herë gjatë fushatës, e përsëriti historinë e një kryebashkiaku të djathtë, i cili kishte dërguar një sms për ta takuar dhe e informonte se kishte frikë ta takonte në zyrë.

Vetë Rama, në të gjitha takimet elektorale mohoi kategorikisht se sulmet e tij të hapura ndaj këtyre të fundit në fushatë do të vazhdojnë në formën e bllokimit të qeverisë për të zgjedhurit vendore të opozitës.

Ky takim, vetëm dy javë nga 21 qershori, i kërkuar nga kryeministri të zhvillohet ditën e hënë, përbën një lloj momenti të së vërtetës për të dyja palët në raport me detyrimet e tyre ndaj zgjedhësve e ndaj marrëdhënieve ligjore institucionale.

Mbetet ende e paqartë nëse lajmi ka mbërritur në selinë blu dhe se cili do të jetë orientimi për të zgjedhurit e djathtë kundrejt kësaj ftese të Ramës.

Mbetet për t’u parë të hënën nëse shtrirja e dorës së kryeministrit Rama në drejtim të kundërshtarëve që mundën kandidatët e ASHE do të mbetet në ajër, apo rruga e saponisur e implementimit të reformës administrativo-territoriale do të nisë më një shtërngim duarsh mes palëve, çka do të ishte diçka e re në historinë e gjatë të konflikteve e bllokimeve mes pushtetit qendror e atij vendor për rastet kur këtë të fundit e kontrollojnë kundështarët e qeverisë së radhës.

Top Channel