Raporti i KLD-së: Gjykatat shkelin afatet e shortit. Në Apel, pritja është shumë e gjatë

02/07/2015 00:00

Shumica e gjykatave në vend shkelin afatin 7-ditor të hedhjes së shortit elektronik për dosjet gjyqësore, duke e kthyer në fenomen pritjen e çështjeve.

Teksa kryeson Gjykata e Durrësit, me 306 çështje të shortuara tej limitit, justifikimet për shkeljen e afatit argumentohen me kushtet e vështira, por edhe me festat zyrtare, ndërkohë që Gjykata e Gjirokastrës nuk jep asnjë shpjegim, se përse është abuzuar me afatet.

Këto të dhëna janë pjesë e një raporti të Këshillit të Lartë të Drejtësisë përgjatë një inspektimi, që megjithëse bën radiografinë e shortimit për vitet 2012-2013, në fund të qershorit u miratua në KLD së bashku me gjetjet dhe rekomandimet.

Raporti mbi 200 faqe konstaton se, në gjykatat e Apelit në vend është kthyer në fenomen lista e pritjes, që nënkupton sipas inspektorëve hedhjen e shortit brenda 7 ditësh, por më pas mbajtjes në pritje të seancës së parë gjyqësore, e cila zvarritet në disa muaj.

Por ky fenomen, sipas KLD-së, humbet qëllimin e shortit brenda 7 ditëve, e për këtë arsye duhen marrë masa për shmangien e këtij problemi. KLD vëren se, fenomeni në gjykata është edhe rishortimi për shkak të heqjes dorë nga gjyqtarët, si pasojë e konfliktit të interesit.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë thotë se, duhet rishikuar mënyra sesi hidhet shorti, për të përcaktuar me saktësi detyrat e kryetarit të gjykatës, pasi duhet vendosur që në gjykatat me volum të lartë kjo procedurë të kryhet më shpesh se një herë në javë.

Kryetarët e gjykatave, sugjeron më tej KLD-ja, duhet të detyrohen, që shorti të kryhet vetëm elektronikisht, si edhe të publikojnë një kopje të urdhrit të shortit. Këshilli i Lartë i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të rishikojë detyrimin ligjor, për të përmirësuar legjislacionin për kompetencat e kryetarëve të gjykatave të Apelit, për të shmangur fenomenin e listës së pritjes.

Top Channel