Engel, para Kuvendit të Kosovës: Specialja do të krijohet, e mira është ta bëni ju!

02/07/2015 00:00

Përfaqësuesi i Kongresit të SHBA-ve, Eliot Engel iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalë rasti, në seancën solemne për nder të përvjetorit të 25-të të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të Kosovës në vitin 1990.

Ai përsëriti qëndrimin se, Kosova duhet ta votojë Gjykatën Speciale, por në të njëjtën kohë shpalosi momente nga lufta e tij diplomatike për pavarësinë e Kosovës.

“Më kujtohet që në vitet ’90, kur po bëheshin përpjekje të mbaheshin zgjedhje këtu, unë erdha si misionar në Kosovë. Regjimi i Millosheviçit nuk më lejoi të hyja, pasi thanë se unë po hyja këtu me qëllimin që të shkaktoj probleme. Ndaj dhe mbajta një konferencë në kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës. Më kujtohet shumë mirë, sepse kisha humbur syzet dhe kisha probleme me shikimin, por isha i gatshëm të flisja për atë që kisha në zemër. U thashë gazetarëve se unë po provoja të hyja, por Millosheviçi nuk po më lejonte atëherë. Gjithsesi, iu thashë se një ditë të gjithë do të hynim, sepse Kosova do të ishte e lirë dhe e pavarur. Atë ditë e thashë në formë shakaje, por në fakt nuk ishte ashtu, sepse erdhi dita dhe kështu ndodhi”, tha Eliot Engel, ligjvënës i Kongresit të SHBA-ve.

Sa i përket Gjykatës Speciale, kongresmeni amerikan këshilloi deputetët e Kosovës ta votojnë atë, sepse sipas tij, nuk do të ishte mirë që kjo të bëhej nga OKB-ja.

“Nuk jemi në situatën kur lind dyshimi, a do të bëhej një Gjykatë Speciale apo nuk do të bëhej. Për mua, pyetja është nëse kjo Gjykatë Speciale do të themelohet në Kosovë apo në Kombet e Bashkuara, sepse besoj që, nëse nuk do ta themeloni ju, atëherë këtë do ta bëjnë Kombet e Bashkuara. Nuk mendoj se kjo do të jetë mirë për Kosovën, pasi janë shumë probleme që e presin në OKB”, tha Eliot Engel.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte një moment i rëndësishëm i lëvizjes kombëtare, e cila filloi aktivitetin e saj që në vitin 1968.

“Barazi ose shkëputje, kështu ishim të vendosur në atë kohë”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i Kuvendit të atëhershëm, Iljaz Ramajli kujtoi se, policia serbe para 25 vitesh nuk i lejoi deputetët të futeshin në sallë dhe, pavarësisht kësaj, ata nën qiellin e hapur shpallën Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova mori të drejtën për vetëvendosje.

Dy muaj më vonë, më 7 shtator të po atij viti, delegatët miratuan edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë. Miratimi i Deklaratës së 2 korrikut erdhi, pasi në Kosovë kishin filluar masat e dhunshme serbe dhe shqiptarët e Kosovës po i ndienin në të gjitha format pasojat nga shuarja e autonomisë dhe të drejtave që u takonin me Kushtetutë.

Top Channel