Haradinaj rizgjidhet në krye të AAK: T’u japim vlerë sistemit politik e atij shoqëror

02/07/2015 00:00

Ramush Haradinaj është rizgjedhur edhe për një tjetër mandat në krye të Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës. Në Kuvendin e VII zgjedhor të AAK-së, Haradinaj nuk pati asnjë kandidat rival, ndërsa u rizgjodh si kryetar partie me 527 vota pro, 3 kundër, kurse 2 vota u shpallën të pavlefshme.

Para se të niste votimi, Haradinaj, në fjalimin e tij drejtuar delegatëve tha se, duhet punuar për t’i dhënë vlerë sistemit politik e shoqëror në Kosovë.

“Qëllimi ynë është i qartë dhe i thjeshtë. T’i japim shpirt Kosovës, ndienjë dhe vlerë vendit tonë. Duhet t’i japim demokracisë së Kosovës shpirt, ndienjë, vlerë, në mënyrë që të jetë burimore dhe e vërtetë. T’i japim shpirt, ndienjë e vlerë sistemit politik, institucional e shoqëror. Kjo, për të pasur mundësi ta kthejmë Kosovën në një vend të suksesshëm, e që ta afrojmë më shpejt drejt familjes së madhe europiane, drejt atyre që aspirojmë se u takojmë, por…po e shpjegoj me dy fjalë këtë. Duhet ta bëjmë Europën në Kosovë, e jo të shkojmë ne në Europë; duhet ta thellojmë miqësinë me Amerikën jo duke shkuar atje, por duke e bërë Kosovën si Amerika. Duhet ta bëjmë Kosovën të denjë për të qenë në NATO”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Duke thënë se AAK është një parti e qendrës së djathtë, komunitet i njerëzve që kanë shpirt, ndienja e vlera, Haradinaj tha se, nëse punohet drejt këtyre vlerave, atëherë Kosova do të fitojë dhe Ballkani do të jetë më i mirë. Ai u bëri thirrje delegatëve, që të punojnë për një shtet ligjor e të drejtë për të gjithë, pa asnjë dallim.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi u tha delegatëve, se të gjithë së bashku kanë mundësi të veprojnë për t’i dhënë fund – siç i quajti ajo – praktikave të këqija të shpërdorimit të pushtetit.

“Të gjithë e kuptuan se, e tanishmja në qeveri është e shkuar, dhe se një kapitull i ri po hapet për vendin, shumë shpejt. Ndaj të gjithë ne, që jemi sot bashkë, kemi një mundësi të veprojmë për t’iu dhënë fund praktikave të këqija të shpërdorimit të pushtetit, të mohimit të punësimit, të mohimit të drejtësisë, të mohimit të zhvillimit. Është një mundësi, që Kosovën ta kthejmë në binarë. Nga një vend prej të cilit njerëzit ikin, në një shtet ku njerëzit kthehen, ku ka shpresë dhe mundësi, ku drejtimi properëndimor është orientim dhe ku kriteret për integrim përmbushen, së pari, për qytetarët e vendit”, tha Donika Kadaj-Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së.

Në këtë mbledhje u miratuan dy ndryshime statusore, ku njëri prej tyre i jep të drejtë kryetarit, që të rrisë numrin e anëtarëve të Kryesisë. Gjithashtu, pas ndryshimit të bërë sot, kryetarët e komunave do të jenë tani e tutje anëtarë të Këshillit Drejtues.

Top Channel