Korçës i rikthehet simpoziumi ndërkombëtar i skulpturës

02/07/2015 00:00

Qyteti i Korçës edhe ketë vit do të kthehet në destinacionin e daltës së skulptorëve të vendit, rajonit dhe më gjerë pasi do të rikthehet simpoziumi ndërkombëtar i skulpturës.

Prej vitit 2008, kur Bashkia e Korçës i dha startin këtij aktiviteti, në parkun Rinia të qytetit janë vendosur dhjetëra vepra të artit bashkëkohor në gur.

Ndryshe nga vitet e tjera, në këtë simpozium do të marrin pjesë 5 skulptorë nga Shqipëria, Kina, Franca dhe Egjipti,  të cilët do të sjellin artin dhe kreativitetin e tyre.

Këto vepra arti realizohen në blloqe gurësh të bardhë me dimensione të papërcaktuara nga vetë artistët.

Në këtë edicion të gjashtë të simpoziumit të skulpturës, organizatorët, duke vlerësuar punën që bëhet, kanë apeluar për t’i ruajtur këto vepra arti si vepra të çmuara për qytetin e Korçës dhe si një vlerë që i shtohet qytetit pas rimodelimit të parkut.

Skulpturat e vendosura në parkun Rinia vit pas viti i kanë dhënë atij një tjetër pamje, ndërsa pas rimodelimit të tij ato janë vendosur në një pjesë të hapësirës në formën e një muzeu të hapur, ku idetë e shumë artistëve janë bashkuar në një.

Top Channel