Britani, pezullohet sistemi i pritjes së azilantëve

02/07/2015 00:00

Gjykatat britanike kanë vlerësuar si “krejtësisht të padrejtë” sistemin “Fast Track”, i ngritur nga autoritetet që prej vitit 2000 për të izoluar azilkërkuesit.

Ky sistem ka strehuar mijëra azilkërkues ndër vite. Por më shumë se sa një strehë, institucionet e këtij sistemi konsideroheshin burg.

Kjo ka vënë në lëvizje prej kohësh shoqata dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, të cilët kërkonin heqjen e kësaj metode për shkak se ndër vite, pre të izolimit në këto institucione, e që në fund nuk merrnin as statusin e azilantit, kanë qenë me mijëra viktima të dhunës dhe prostitucionit.

Menjëherë pas këtij vendimi të gjykatës, ministri i Emigracionit, James Brokenshire, urdhëroi pezullimin e përkohshëm.

“Në vazhdën e ngjarjeve të fundit, vendosa të pezulloj përkohësisht sistemin ‘Fast Track’. Shpresoj që ky pezullim të jetë i shkurtër, ndoshta për disa javë, deri kur të sigurohemi që strukturat zbatuese të jenë në gjendje dhe gati për të shmangur çdo rrezik për një izolim të padrejtë”, tha Brokenshire.

Nga vendimi kanë përfituar menjëherë rreth 100 azilantë, që janë liruar, ndërkohë që po shqyrtohet kërkesa edhe për 800 të tjerë.

Top Channel