KQZ rrëzon LSI-në, refuzohet kërkesa ankimore për rezultatin e Vorës

02/07/2015 00:00

Ripërsëritja e zgjedhjeve në Bashkinë e Vorës, kërkuar nga LSI, ishte ankimimi që ka zgjatur më shumë se çdo çështje tjetër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Partia e drejtuar nga Ilir Meta paraqiti prova, sipas saj, të votimit të të paktën 360 votuesve për PD-në, nga 600 të tillë, që për LSI ishin transferuar vetëm për efekt rezultati zgjedhor.

“Në Bashkinë e Vorës, zgjedhjet ishin të lira. Po ishin të lira! Njerëzit votuan lirisht, edhe ata që zgjodhën ta shisnin votën për një petull kanë votuar lirisht. Kanë lirinë e tyre! Të zgjedhësh të shesësh votën për një petull është pjesë e lirisë. Ne nuk kemi asnjë kundërshti për këtë pjesë, por standardi i tretë, ndershmëria. A ishin të ndershme zgjedhjet në Vorë?  Absolutisht jo! Zgjedhjet në Bashkinë e Vorës nuk ishin të ndershme sepse kryetarin e Bashkisë së Vorës e kanë zgjedhur banorë jo të Vorës”, deklaroi përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani.

Kërkesa e LSI-së, që u mbështet nga përfaqësuesit e PS-së si mënyrë për të dënuar fenomenin e transferimit të zgjedhësve, u refuzua qartazi nga përfaqësuesit e opozitës, që argumentuan se nuk është kompetencë e KQZ-së ky lloj hetimi dhe se ai tashmë është duke u bërë nga organi i akuzës.

Por rasti vuri jo pak në pozicion të pafavorshëm anëtarët KQZ- së, që varësisht nga janë propozuar në këtë tryezë, iu desh të argumentonin ndryshe nga i njëjti debat për Durrësin dhe Kavajën.

Nënkryetari Denar Biba u përpoq t’i qëndronte objektivitetit, duke dhënë votën pro LSI-së për një arsye.

“Unë besoj se aty ngjarja ka ndodhur. Ai mandat me gjasë është marrë me pa të drejtë. Por ky është dyshimi i zakonshëm i një njeriu siç jam unë. Unë nuk jam gjyqtar! Unë nuk mund ta them me bindje absolute përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që kjo është kështu. Është vetëm bindja ime. Në këtë kontekst a mund të votoj unë për pavlefshmërinë? Po do të votoj për pavlefshmërinë duke e ditur që nuk do të ketë asnjë pasojë, vetëm për të dënuar fenomenin”, deklaroi Denar Biba.

Kjo votë e deklaruar paraprakisht e Denar Bibës, mbajti parasysh edhe faktin se ripërsëritja e zgjedhjeve kërkon të paktën 5 vota, që në këtë tryezë është e vështire të bëhen. Por ajo që çoi në rrëzimin e kërkesës, ishte vota e kryetares së KQZ-së, që këtë herë u bashkua me anëtarët e propozuar nga opozita.

“Nga këto që ka paraqitur subjekti ankues, nuk shoh shkaqe kaq të rënda, të cilat cënojnë procesin zgjedhor”, deklaroi kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi.

LSI nuk është e vendosur nëse do ta çojë çështjen në Kolegjin Zgjedhor, vendim që Ylli Manjani tha se do të merret në një kohë të mëvonshme.

Top Channel