Turi, Nibali e Contador pretendentët, por Sagan “thumbon”

02/07/2015 00:00

Ata janë pretendentët kryesorë, i ndajnë vetëm 2 vite diferencë, teksa kanë zgjedhur të qëndrojnë në të njëjtin hotel në periferi të Utrehtit përpara etapës së parë të “Turit të Francës” për këtë vit.

30-vjeçari Vincenzo Nibali dhe 32-vjeçari Alberto Contador kanë bërë përgatitjet e fundit, teksa kanë lëshuar edhe sfidat e hapura ndaj njëri-tjetrit…

Nën një mot prej 35 gradë Celcius, Nibali ka zbritur nga hoteli i fundit, teksa poshtë e kanë pritur fëmijë të vegjël, të apasionuar pas çiklizmit dhe që i kishte dërguar një televizion holandez për një shfaqje të drejtpërdrejtë.

Mes të tjerëve ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së Kazakistanit në Amsterdam, të cilët mezi kanë pritur “peshkaqenin” për të lançuar edhe fillimin e “Expo 2017” të Kazakistanit.

Nibali ka ende mbi shpinë numrin 1, teksa ditën e premte do të zbresë me fanelën e verdhë në kronometrimin e hapjes së “Turit të Francës”. Sot i mjaftuan 3 orë stërvitjeje, mes rrugëve normale dhe atyre dedikuar enkas biçikletave.

Të premten, nga ora 11:30 deri në 12:30 do të tentojë kronometrin e hapjes; janë plot 13,8 km distancë me 22 kthesa në qendrën historike të Utrehtit.

“Jam mirë edhe pse jam ende me tutat sportive”, thotë Nibali duke buzëqeshur. Nuk refuzon të dalë ndonjë foto apo të japë ndonjë autograf, sepse i tillë është ai, tipik italian dhe krenaria e vendit të Apenineve. Ai është thjesht numri 1 i “Turit të Francës” në edicionin e 102-të të tij.

Vetëm pak minuta më vonë është shfaqur edhe Alberto Contador, së bashku me çiklistët e tjerë italianë Basso, Tosatto dhe Bennati. Fituesi në fuqi i “Xhiros së Italisë” është gjithashtu në një formë të shkëlqyer. “Respektoj të gjithë, por nuk kam frikë nga askush. Krahasuar me Xhiron e Italisë jam edhe më mirë”.

Peter Sagan, me fanelën e kampionit kombëtar në Sllovaki, mbërrin i fundit. Bën foton e rastit me grupin, e largohet menjëherë. Thjesht u lëshon sfidën dy pretendentëve…

Top Channel