FMN “gozhdon” Greqinë dhe paralajmëron Europën: I nevojiten 50 mld euro shtesë dhe lehtësim borxhi

02/07/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka elektrizuar edhe më shumë debatin mbi referendumin në Greqi, pasi ka pranuar se helenët, për të dalë nga kriza financiare, do t’iu duhen plot 50 miliardë euro të tjera financim përgjatë 3 viteve të ardhshme, si dhe një lehtësim në shkallë të gjerë të borxheve, në mënyrë që të krijojë “një hapësirë frymëmarrjeje” dhe të stabilizojë ekonominë e saj.

Kur kanë mbetur vetëm 3 ditë përpara referendumit “therrës”, FMN-ja zbuloi ndasinë e thellë me Europën, teksa ka paralajmëruar se borxhet e Greqisë kanë qenë të paqëndrueshme.

Zyrtarë të njërit prej institucioneve huadhënëse ndërkombëtare të Greqisë – së bashku me KE-në dhe BQE-në – kanë bërë të ditur se ata nuk do të përgatisin ndonjë propozim të ri për një paketë të tretë ndihme ndaj Greqisë dhe nuk do t’ia vendosin këtë propozim përpara bordit të organizatës me seli në Uashington, deri sa në këtë propozim të përfshihen angazhimet e të gjitha palëve, për reforma ekonomike dhe për lehtësime borxhesh.

Sipas FMN-së, Greqia duhet të arrijë një periudhë 20-vjeçare faljeje, përpara se të ribëjë ndonjë ripagim borxhi, dhe se pagesat e fundit që detyrohet të bëjë nuk do të mund të kryhen përpara vitit 2055.

Analiza e FMN-së do të shqyrtohet nga Alexis Tsipras, kryeministrit grek, i cili ka qenë këmbëngulës në qëndrimin e tij, se do të pranojë forcimin e masave shtrënguese, vetëm nëse Greqisë do t’i lehtësohet barra e borxheve.

Në një mesazh të fortë ndaj huadhënësve europianë, FMN-ja thotë se ata do të duhet të gjejnë parà shtesë për Greqinë, duke parë përkeqësimin e shënuar në ekonominë e këtij shteti, që kur koalicioni Syriza i udhëhequr prej Tsiprasit erdhi në pushtet në fillim të këtij viti.

“Ndryshimet e rëndësishme në politika dhe në perspektivën e vendit që prej fillimvitit kanë rezultuar në një rritje të konsiderueshme të nevojave për financim. Të gjitha së bashku, bazuar mbi paketën e propozuar prej institucioneve huadhënëse ndaj autoriteteve greke, këto nevoja projektohen të kapin shifrën e 50 miliardë eurove nga tetori i vitit 2015 deri në fund të vitit 2018, duke kërkuar kështu parà të tjera shtesë nga Europa, prej të paktën 36 mld euro gjatë kësaj periudhe trevjeçare”.

Top Channel