Tahiri u përgjigjet akuzave të PD-së për Frrokun

02/07/2015 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u është përgjigjur nga foltorja e Kuvendit akuzave të opozitës në lidhje me largimin nga vendi të biznesmenit Arben Frroku.

Tahiri bëri të ditur se dalja e këtij shtetasi është mbajtur shënim nga policia kufitare në rëgjistrin manual, siç parashikohet në procedurë, kur sistemi TIMS është jashtë funksionit.

“Dua të bëj edhe një sqarim për dy deklarata të PD-së lidhur me shtetasin Frroku që është larguar nga Shqipëria, medemek se i hapi rrugën Edi Rama. Pas vendimit të Shkallës së Parë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sipas të cilit shtetasi ishte i pafajshëm dhe si i tillë i lirë,  Frroku nuk kishte asnjë ndalim ligjor nga askush për të lëvizur lirshëm në vend e jashtë vendit. Në pikën kufitare në kufin shqiptar, ky shtetas është regjistruar si të gjithë shtetasit e tjerë, në regjistër manual për shkak se sistemi TIMS nuk funksiononte prej disa orësh. Regjistri është aty, mund të shihet nga të gjithë, e në qoftë se PD-ja ka ankesë për këtë, mund t’i drejtohet Prokurorisë duke ia kursyer edhe vetes mundimin e deklaratave tërësisht spekulative. Policia ka bërë verifikimin e statusit të shtetasit dhe pasi është verifikuar, është lejuar të udhëtojë. Po kështu është bërë ndalimi edhe në një pikë të kalimi kufitar jashtë Shqipërisë, ku policia e atij shteti ka komunikuar me Interpol Tiranën, e cila pas komunikimit me Prokurorinë e Përgjithshme dhe pas verifikimit, është lejuar edhe atje të kalojë”, – tha Tahiri.

Akuzat e opozitës për përfshirjes të Frrokut në fushatën elektorale të Partisë Socialiste në Pukë, Tahiri i cilësoi si përpjekje për të bërë pis procesin zgjedhor.

“Pavarësisht përpjekjes për ta quajtur çështje elektorale është një konfirmim i vullnetit tuaj për të bërë pis procesin zgjedhor”, – u shpreh ai.

Në disa deklarata të njëpasnjëshme, Partia Demokratike ka akuzuar Qeverinë se ka ndihmuar biznesmenin Arben Frroku të largohej nga vendi pak ditë para se Gjykata e Apelit ta dënonte atë me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisar, Dritan Lamaj.

Top Channel