Basha kujton 25-vjetorin e hapjes së ambasadeve, Rama ironizon në Twitter

02/07/2015 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha me anë të një njoftimi për shtyp, ka kujtuar 25-vjetorin e hapjes së ambasadave, por duke hequr paralele dhe mbi gjendjen aktuale të Shqipërisë.

“Si sot 25 vjet më parë, rinia shqiptare, burrat e gratë guximtarë shemben murin e izolimit dhe u hodhën në oborrin e selive të huaja duke zgjedhur lirinë në vend të diktaturës. Në vend të kremtimeve, ky 25-vjetor na bën sot të reflektojmë si asnjëhere tjetër për vendin dhe shoqërinë tonë. Me zgjedhjet e 21 qershorit, vota e lirë, themeli i demokracise është dëmtuar rëndë, kriza ekonomike ka pllakosur vendin, mjerimi është ulur këmbëkryq në mijëra familje shqiptare, eksodi është rikthyer i dhimbshëm sa atëherë”, deklaron Basha.

Më tej ai vijon duke theksuar se “ashtu si 25 vjet më parë shqiptarët do ta dëshmojnë sërish se kanë të njëjtën kurajo për të refuzuar varfërine,  kriminelët dhe korrupsionin”.

Ndërkaq, pas deklaratës ka reaguar me anë të një postimi në Twitter edhe Kryeministri Rama, i cili ka ironizuar Bashën.

“Duke lexuar përkujtimin e Lulzim Bashës për hedhjen e njerëzve përtej gardheve të ambasadave m’u duk sikur i ka vajtur mendja të bëjë të njëjtën gjë”, shkruan Rama në Twitter.

Top Channel