Standardi i zgjedhjeve, debate në seancën plenare

02/07/2015 00:00

Standardi i zgjedhjeve ka zënë këtë të enjte gjithë diskutimet në seancën plenare të Kuvendit. Opozita i konsideroi zgjedhjet jo të lira dhe rezultatin të fabrikuar nga blerja e votës, presionet, përdorimi i administratës dhe hedhja në qarkullimin e parave të pista.

“Po hyjmë në këtë sallë në seancën e funeralit të votës së lirë, që një klikë i shkatërroi në mënyrë përfundimtare, në mënyrë të papërgjegjshme. Preku dhe rrënoi me të gjitha mekanizmat e shtetit mafioz, e mafias shtetërore, e krimit shtetëror çdo parim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Edi Rama, kreu i meduzës së krimit shtetëror, emëroi në Kavajë, në Krujë dhe në bashki të tjera, me dhjetra e dhjetra kriminelë, të damkosur. Flamuri i këtyre zgjedhjeve ishte flamuri i zi i krimit. Fytyra e këtyre zgjedhjeve ishte faqja e zezë e krimit”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.

Nga ana e tij ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se “këto ishin zgjedhjet më të lira.

“Unë ju sfidoj të thoni një emër të denoncuar, apo qoftë edhe thjeshtë të përmendur prej jush që nuk i është nënshtruar hetimit të policisë dhe institucioneve përkatëse duke marrë përgjigjie ju dhe qytetarët në një kohë rekord. Dua t’u bëj me dije se kishte vetëm 3 ankesa për regjistrime elektorale të zgjedhësve dhe ky është një standard i arrirë zgjedhor, krahasuar me të kaluarën”, u përgjigj ministri Tahiri.

Astrit Patozi nuk anatemoi procesin zgjedhor në tërësi, por deklaroi se opozita ka humbur, por mazhoranca, sipas tij, nuk ka fituar.

“Ne i humbëm qartësisht, por edhe qeveria nuk i fitoi dot zgjedhjet e 21 qershorit. Nuk ka asnjë nonsens logjik në këtë përfundim, sepse ka ndodhur edhe here të tjera, që betejat të mbyllen pa fitues. Natyrisht, që në letër qeveria ka arritur një rezultat të mirë, por edhe ajo vetë nuk po i gëzohet dot numrave. Dhe kjo, jo thjesht se Ilir Meta bën sikur i ka ngelur qejfi me Edi Ramën, sepse gjoja paska kapur në flagrancë udhëheqës socialistë, që nuk kanë rënë ende në dashuri me LSI-në, dhe kjo në ditët e sotme qenka e barazvlefshme me “krim kundër njerëzimit”. Këto ishin zgjedhje të këqija dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për këto. Natyrisht kjo nuk e përligj humbjen tonë, e cila sa më shumë të fshihet, aq më tepër rëndon mbi shpinën e kërrusur të opozitës sonë. por jo të gjithë e kanë të ndjenjë realisht. Shqiptarët janë duke pritur një ofertë të re për t’i nxjerrë nga kjo shpifësirë ku jemi zhytur të gjithë dhe për momentin po bën qejf Ilir Meta dhe Edi Rama. Ndaj për gjithë këto arsye dhe të tjera si këto, jam i bindur që ne i humbëm zgjedhjet, por edhe ju nuk i fituat ato”, tha Patozi.

Ndërsa Pandeli Majko theksoi se “nëse procesi do ishte manipuluar nga qeveria, opozita do të kishte djegur Parlamentin”.

“Nëse do të ishte e vërtetë kjo, sot këtu përsa ju njoh unë nga krijimi i PD, sot ju kishit për të hedhur në erë Kuvendin. Ja që s’e hodhët në erë. Jeni shumë të butë, shumë të qetë dhe kjo ka të bëjë edhe me një reflektim mbi rezultatin, i cili jo vetëm matematikisht, por edhe për arsye të tjera, ishte ai që ishte. Sa i përkte blerjeve të votave, presioneve…ne kemi qenë në situata të ndryshme dhe i kemi ndërruar disa herë vendet dhe nuk besoj që kjo ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë ku flitet blerja e votës. Se kush e ka filluar?! Për ata që janë pak më të vjetër, e dinë shumë mirë këtë historinë e blerjes së votës”, deklaroi Majko.

Top Channel