Sondazhet në prag të referendumit në Greqi, paqartësi e anketimeve

02/07/2015 00:00

Teksa dita e diel e referendumit po afrohet për Greqinë, rriten edhe ethet se cili do të jetë verdikti i popullit grek.

Sikurse e ka bërë të ditur në çdo dalje televizive, Tsipras nuk tërhiqet nga thirrja për të shprehur vullnetin me votë.

Qeveria greke ka publikuar edhe një faqe në internet dedikuar tërësisht referendumit, duke lënë edhe numërimin mbrapsht sesa kohë u ka ngelur për të votuar. Një sondazh vendas tregon se afërsisht 57% e grekëve do të votojë “Jo” ndaj kushteve të kreditoreve, nga ana tjetër 30% e tyre janë të gatshëm të pranojnë reformat e bashkimit europian, duke lënë 13% të popullsisë si votues gri, të pavendosur përballë tablosë që u paraqitet. 

Ndërsa në kontrast me sondazhin e  opinionit të zhvilluar nga një kompani greke, një tjetër sondazh i bërë nga francezët këtë herë, jep një tjetër rezultat. Ky i fundit flet për 47% të popullsisë greke që është ‘pro’ Europës dhe 37% e tyre që mbështesin “Jo”-në e Tsipras.

Por analistët gjykojnë se sondazhi grek, mund të ketë nota me subjektive për të krijuar konfuzion tek popullsia vendase. Megjithatë shpesh këto matje të opinionit publik, kanë rezultuar edhe të gabuara, sikurse rasti i fundit i zgjedhjeve të përgjithshme në Britaninë e Madhe, ku sondazhet i dhanë më shumë përqindje Partisë Laburiste, e cila në fund pësoi humbje ndaj forcës konservatore.

Politikanë të ndryshëm të unionit kanë gjykime të ndryshme për sa i përket çështjes së referendumit. Disa mendojnë se ky është një skenar i brendshëm i Greqisë, për t’i shpëtuar pagesës së borxhit dhe për të dalë me monedhën e saj të pavarur nga unioni.

Sipas ekspertëve, nëse dhrahmia futet në treg sërish, grekët do të futen në një treg të panjohur dhe do të ketë një zhvlerësim të madh të monedhës.

Kjo do ta çojë inflacionin në një vlerë më të madhe se 40 për qind, duke kufizuar në këtë mënyrë edhe më tej fuqinë blerëse të qytetarëve. Këtë e ka parashikuar publikisht edhe ministri slloven i Financave, Peter Kazimir, i cili shprehu frikën se referendumi do të përfundojë me përgjigjen “Jo” dhe bankat nuk do të rihapen me monedhën euro.  Ndërsa mediat ndërkombëtare shkruajnë se grekët do të votojnë ditën e diel mes inatit dhe konfuzionit.

Top Channel