Bisedimet mes Iranit dhe “P5+1”, ende pa zgjidhje. Ndërhyjnë edhe ministrat e Jashtëm

02/07/2015 00:00

Teherani dhe fuqitë botërore të së ashtuquajturës “P5+1” nuk kanë siguruar ende një përparim në bisedimet bërthamore gjatë kësaj të enjteje, edhe pasi ministrat e Jashtëm shkuan atje me synimin për të dhënë një kontribut edhe më të madh në negociata.

Bisedimet janë fokusuar tashmë në faktin sesa shpejt do të hiqen sanksionet ndaj Iranit dhe sesi do të kontrollohet pajtueshmëria e Republikës Islamike me marrëveshjen e mundshme që pritet të nënshkruhet.

Irani ka hyrë në bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe 5 fuqitë e tjera industrialiste të botës; Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë; për të arritur një marrëveshje, në bazë të së cilës Teherani do të kufizojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike të vendosura prej OKB-së.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se është bërë disi progres dhe se do të rikthehej në Vjenë pasditen e së dielës, me shpresën për të nënshkruar marrëveshjen përfundimtare pas ngërçit 12-vjeçar mes Iranit dhe Perëndimit.

Një zyrtar i lartë iranian tha për reporterët se Irani dhe 6 fuqitë e tjera kanë diskutuar mbi datat se kur do të hiqen sanksionet kryesore të SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, dhe se kur do të hyjnë në fuqi kufizimet e aktiviteteve bërthamore të Iranit.

Ideja është që të dyja palët të përgatisin gjithçka, në mënyrë që implementimi i marrëveshjes që do të nënshkruhet të nisë në një ditë specifike, të përcaktuar nga negociatat. Gjithsesi, një tjetër zyrtar i lartë theksoi edhe njëherë dallimet e mëdha mes Iranit dhe fuqive të Perëndimit, për shkak se Teherani ka kërkuar që sanksionet ndërkombëtare të “ndërpriten” përfundimisht.

Zyrtarë amerikanë dhe europianë kanë thënë se sanksionet duhen pezulluar dhe jo të ndërpriten, në mënyrë që të mund të rikthehen në fuqi, nëse Irani dështon të përmbushë angazhimet e tij në marrëveshjen e mundshme.

Fuqitë perëndimore dhe aleatët e tyre dyshojnë se, Irani është duke përdorur programin e energjisë bërthamore për qëllime civile si një mbulim për zhvillimin e kapaciteteve të tyre për armë bërthamore. Irani e mohon këtë gjë. Negociatat priteshin të përfundonin më 30 qershor, por palët u kanë dhënë njëri-tjetrit edhe një javë kohë, deri më 7 korrik për nënshkrimin e një marrëveshjeje përfundimtare.

Top Channel