Kriza greke, protesta në favor të “Jo”-së edhe në Paris. Tsipras: Mbyllja e bankave nuk do të zgjasë

02/07/2015 00:00

Çështja e referendumit grek nuk ka qëndruar brenda kufijve të shtetit helen, por është shtrirë tashmë edhe në rrugët e kryeqyteteve europiane.

Një gjë të tillë e tregon më së miri shembulli i mijëra protestuesve francezë, të cilët u kanë bërë thirrje këtë të enjte votuesve grekë të refuzojnë masat shtrënguese të vendosura nga Bashkimi Europian, e rrjedhimisht edhe votimin me një “Jo” të prerë në referendumin e fundjavës, mbi marrëveshjen “reforma në këmbim të parave” me huadhënësit ndërkombëtarë.

Protestat në Paris, të organizuara nga rebelët e krahut të majtë në partinë qeverisëse “Socialistët Francezë”, shkojnë kështu në drejtim të kundërt me linjën e mbajtur nga qeveria e Presidentit Francois Hollande, teksa ky i fundit thekson se “Jo”-ja do të nënkuptonte një hap të rrezikshëm drejt një daljeje të mundshme të Greqisë nga Eurozona dhe mbase edhe nga BE-ja.

Policia bëri të ditur se numri i protestuesve në sheshin “Bastille”, një pikë qendrore e revolucionit francez të 1789-s dhe një shesh tradicional mitingjesh për protestues, mund të ishte diku te rreth 3000 të tillë. Ndër parrullat e shfaqura kishte edhe “Mjaft masave shtrënguese” dhe “Solidaritet me popullin grek, anulim të borxheve”.

Ndërkohë, një sondazh i bërë nga “Harris Interactive” tregon se 2/3-at e të anketuarve në Francë dëshiron që vendet europiane të ndalin huadhënien ndaj Greqisë, dhe se 53% e tyre besojnë se Greqia nuk do të ripaguajë më ndonjë prej borxheve të saj. Vetëm 4% e të pyeturve mendojnë se Greqia do t’i shlyejë borxhet tërësisht.

Më herët, ministri francez i Financave, Michel Sapin, tha se vota “Po” në referendumin e së dielës do t’i lejonte Greqisë të rifillonte dialogun me huadhënësit ndërkombëtarë mbi një marrëveshje të mundshme. Ai këmbënguli se, ndërkohë që mund të merret në konsideratë një borxh tjetër lehtësues, është tepër e rëndësishme që Athina të paguajë mbrapsht atë që u detyrohet atyre.

Ndërkohë, pasditen e së enjtes, kryeministri grek, Alexis Tsipras, ritheksoi edhe njëherë se problemet, me të cilat përballen grekët për shkak të mbylljes së bankave “nuk do të zgjasin edhe për shumë kohë”, duke shtuar se ai pret që të arrihet një marrëveshje e re me kreditorët brenda 48 orëve pas referendumit të së dielës.

Tsipras ka thënë për televizionin “ANT1” se skenat e shfaqura nga Greqia; me radhët e gjata nëpër bankomatet (ATM) dhe shtyrjet e të moshuarve grekë për të marrë pas orëve të tëra pensionet e tyre të cunguara; janë tepër “shqetësuese”, por për këto ai fajësoi partnerët e Eurozonës, që detyruan Bankën Qendrore Europiane të ngrijë financimet jetike ndaj bankave greke.

Top Channel