Kosovë, Ambasada e SHBA-ve organizon mbrëmje për Ditën e Pavarësisë

02/07/2015 00:00

Ambasada amerikane në Prishtinë, mbrëmjen e së enjtes ka organizuar pritjen solemne për nder të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të ftuar të ambasadorës amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, ishin krerët e lartë të shtetit, si Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, ministra, deputetë, ambasadorë të akredituar në Kosovë, kryetarë komunash, përfaqësues fetarë, biznesmenë, e të tjerë.

Ambasadorja Tracy Ann Jacobson përshëndeti të ftuarit në tri gjuhët zyrtare në Kosovë; shqip, gjuhën serbe dhe atë angleze.

E shoqëruar nga Presidentja Jahjaga, Jacobson tha se Presidentja e Kosovës është shembull i udhëheqjes dhe integritetit. Ajo tha se, në Kosovë kemi parë përparim, por përshtypja më e mirë ka të bëjë me Kosovën, si një vend i ri dhe dinamik, i cili sheh drejt së ardhmës. Ndërsa popullin kosovar, Jacobson e ka cilësuar si mikpritës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se SHBA-të ishin pranë Kosovës në çdo moment. “Ne qëndrojmë të bashkuar si aleatë, si partnerë, si miq, duke punuar për arritjen e objektivave tona të përbashkëta, në adresimin e kërcënimeve të përbashkëta dhe në forcimin e lidhjeve mes dy kombeve tona. Gjithmonë duke u munduar, që t’u qëndrojmë besnikë vlerave të përbashkëta dhe besimit në paqe, drejtësi dhe liri”, tha ndër të tjera Presidentja Jahjaga.

Të ftuarve iu drejtua edhe ligjvënësi i Kongresit të SHBA-ve, Eliot Engel, i cili tha se nuk ka vend më të mirë për të festuar pavarësinë e një vendi demokratik se sa në Kosovë, e cila është demokracia më e re.

Kjo pritje organizohet tradicionalisht nga Ambasada amerikane, ndërsa është e fundit, që organizohet nga ambasadorja Tracy Ann Jacobson, e cila këtë vit përfundon shërbimin në Kosovë.

Top Channel