Përçahet koalicioni qeverisës, Tsipras: Greqia nuk do të largohet nga Eurozona

02/07/2015 00:00

E diela po afron dhe të gjithë janë në ankth për verdiktin e popullit grek në referendumin e kësaj fundjave. Mirëpo, deklaratat e fundit të kryeministrit Tsipras, sqarojnë edhe veprimet që do të ndërmarrë qeveria e tij, pavarësisht rezultatit.

Ai ka deklaruar se Greqia nuk do të dalë nga Eurozona, edhe nëse verdikti i popullit do të jetë “Jo” për kushtet e reja të kreditorëve. Këtë deklaratë kryeministri grek e ka thënë para mediave në mbrëmjen e së enjtes.

Por, duket se referendumi ka përçarë edhe koalicionin qeverisës. Katër deputetë të “Grekëve të Pavarur” kanë deklaruar se do të votojnë “pro” reformave të propozuara nga europianët, ndërsa njëri prej tyre ka dhënë edhe dorëheqjen nga koalicioni.

Ndërkohë, një sondazh vendas tregon se afërsisht 57% e grekëve do të votojë “Jo” ndaj kushteve të kreditoreve, nga ana tjetër 30% e tyre janë të gatshëm të pranojnë reformat e Bashkimit Europian, duke lënë 13% të popullsisë si votues gri, të pavendosur përballë tablosë që u paraqitet. 

Ndërsa në kontrast me sondazhin e  opinionit të zhvilluar nga një kompani greke, një tjetër sondazh i bërë nga francezët këtë herë, jep një tjetër rezultat. Ky i fundit flet për 47% të popullsisë greke që është ‘pro’ Europës dhe 37% e tyre që mbështesin “Jo”-në e Tsipras.

Top Channel