Në Top Story: Kriza greke, ndikimi i saj, borxhi shqiptar…

02/07/2015 00:00

Të dielën grekët do të votojnë me një “po” ose me “jo” në një referendum të thirrur nga qeveria e kryeministrit Tsipras për të mbështetur ose jo masat shtrënguese të propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, në këmbim të lëvrimit të huasë së radhës.

Korrespondenti i Top Channel, Artur Bibe nga Athina, thotë se kryeqyteti grek po përgatitet për protestën e së premtes në mbështetje të qeverisë që kundërshton masat e huadhënësve, ndërkohë që në vend është vënë re një fushatë e mediave vendase kundër referendumit. Mediat i bëjnë thirrje popullit që t’u thonë “po” masave. Gjykata Kushtetuese greke po shqyrton ligjshmërinë e referendumit, por deri atëherë nuk bëhet fjalë për një tërheqje të qeverisë.

Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Athina me Artur Biben ishte Fatos Malaj, një shqiptar njohës i mirë i emigracionit dhe njëri prej hartuesve të ligjit të nënshtetësisë në Greqi. Për Top Channel ai tha se “nga zhvillimet e fundit Greqia po shkon drejt falimentimit të plotë”.

“Emigrantët shqiptarë janë pjesë e kësaj gjendjeje të trishtuar në Greqi dhe janë mbyllur shumë biznese të vogla e të mesme, ku punonjësit kanë mbetur pa punë, ku futen edhe emigrantë shqiptarë”, tha Malaj, duke paralajmëruar një fluks të madh shqiptarësh të kthehen në vendlindje këto muaj në Shqipëri.

Ndërkohë, votuesit janë përballë dy alternativa, njëra e vlerësuar nga pjesa më e madhe e analistëve dhe ekonomistëve si dhimbshme dhe tjetra katastrofike. Sondazhet favorizojnë një fitore të “po”-së, por edhe në këtë rast e ardhmja e ekonomisë greke është tejet e pasigurtë.

Por, nëse grekët do t’u thonë “jo” masave të propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, dhe Athina del nga Eurozona, cilat do të jenë pasojat për ekonominë shqiptare? Cilët sektorë preken më fort? A është sistemi bankar në Shqipëri i imunizuar edhe ndaj skenarit më të keq…dhe një paralelizëm mes borxhit grek dhe atij shqiptar?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve u dhanë përgjigje analistët, specialistë, ekonomistë e gazetarë këtë të enjte në Top Story me Sokol Ballën.

I pari që mori fjalën ishte gazetari i Top Channel, Klodian Tomorri. Ai tha se borxhi grek është në kufijtë e paradoksit, ndërsa Gjermania luan rolin kryesor në këtë, sepse ka “pjesën e luanit”.

“Pjesa më e madhe ishte borxh që bankat gjermane i kishin dhënë qeverisë greke dhe që u zgjidh përmes marrëveshjes së famshme me Trojkën”, tha Tomorri.

Ardian Civici vuri në dukje paaftësinë e Greqisë për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurrente, pavarësisht se ka qenë vendi që ka marrë më shumë fonde dhe të ardhura nga Bashkimi Europian, që prej kohës kur u anëtarësua në union.

“Shumë analiza e krahasojnë Greqinë me të ashtuquajturën sëmundjen holandeze. Si vendi më i financuar nga të gjitha pikëpamjet, ajo që ngre shumë pikëpyetje është fakti që, si ka mundësi që një vend ka përfituar maksimalisht nga fondet europiane, nuk krijoi dot një sistem të qëndrueshëm ekonomik? Në këtë mes tani nuk është vetëm borxhi, por edhe financimi në vazhdim ka një pikëpyejte të madhe. Çështja është ku do shkohet me Greqinë”, tha Civici.

Por nëse grekët vendosin për një “jo”, që me gjasa e nxjerr vendin e tyre nga zona e monedhës së përbashkët, cilat do të ishin pasojat?

Arben Malaj, ish-ministër i Financave dha këtë përgjigje: “Qëndrimi i Greqisë në Eurozonë sot nuk është vetëm çështje ekonomike, por është edhe çështje qëndrueshmërie dhe besimi. E vetme Greqia është shumë poshtë në nivelin e konkurrueshmërisë ekonomike, jo vetëm në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, por edhe me vende të tjera jashtë BE-së, dhe me një monedhë të re do të kishte pasoja katastrofike, duke nisur që nga zhvlerësimi galopant i monedhës dhe rritja e inflacionit”.

Një tjetër ish-ministër i Financave, Ridvan Bode u ndal tek efektet e krizës greke në ekonominë dhe sistemin bankar shqiptar.

“Frika ndaj asaj që mund të ndodhë në Greqi nuk është e sotmja. Që prej nisjes së krizës, ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kemi pasur frikë situatën në Greqi. Kemi marrë masa me kohë. Në 2011 bankat greke këtu u bënë filiale, jo më degë. Ka pasur ndikim edhe në fusha të tjera, si tek remitancat dhe eksportet. Kthimi masiv i emigrantëve do të jetë problem për ekonominë dhe një rritje për problemet sociale. Do të ketë impakt edhe në stabilitetin monetar, humbje e pasurive të shqiptarëve, humbje e depozitave bankare. Janë një sërë çështjes, që implikojnë ekonominë e vendit dhe veç këtyre krijojnë edhe një problem psikologjik të agjentëve ekonomikë lidhur me stabilitetin e rajonit”, tha Bode.

Edhe zv.ministri i Financave, Erion Luçi njohu masat e marra më herët, duke u shtuar këtu edhe ato të marra nga Qeveria aktuale.

“Është e vërtetë që janë marrë masa prej kohësh dhe së fundmi edhe janë përmirësuar kanalet e likuiditetit për të ndërhyrë në rastin e një fluksi më të madh tërheqjesh”, u shpreh ai.

Në pjesën e dytë, ish-ministri Bode u ndal tek inflacioni. Ai tha se vendi rrezikon të importojë inflacion nga kriza në Greqi dhe shprehu kritikat e tij për politikën e ndjekur nga Qeveria, e cila ka dalë kryesisht në tregjet ndërkombëtare për të marrë borxh.

“Unë jam kundër marrjes së borxhit kryesisht të huaj, në valutë. Dy vitet e fundit është marrë shumë borxh në valutë, që janë përdorur për shpenzime operative dhe këtë vit parashikohet të dilet, jo vetëm për rinovimin e bondit, por edhe për marrjen e 450-500 mln eurove, të dilet për të financuar deficitin që po krijohet. Kjo krijon një problem stabiliteti dhe ul konkurrueshmërinë e ekonomisë”, deklaroi Bode.

Ndërkohë, ekonomisti Olti Rrumbullaku kritikoi gjitha qeveritë me politikat e ndjekura me borxhin, i cili, siç tha ai, është marrë tej parashikimeve thuajse çdo vit.

“Gjithmonë është tejkaluar niveli i borxhit të marrë për çdo vit. qeveritë kanë marrë çdo vit më shumë se çfarë duhet. Vetëm në 2012 ka qenë një shifër diku tek 3.2 përqind”, deklaroi Rrumbullaku.

Të mërkurën, Fondi Monetar Ndërkombëtar doli me një rivlerësim për rritjen ekonomike. FMN uli parashikimin nga 3 për qind në 2.7 për qind. Kjo shifër ishte edhe përtej parashikimeve të qeverisë për disa faktorë.

“Mjedisi i jashtëm është dhe mbetet një risk dhe risku tani është akoma më i madh. Ajo që është e rëndësihsme është që rritja vazhdon, megjithëse ka shifra të ulta. E rëndësishme është që jemi në shifra pozitive. Kjo është edhe si rezultat i disa reformave të rëndësishme, sidomos ajo e energjisë, që është jashtë mase e rëndësishme për të vendosur një pjesë të financave nën kontroll, apo edhe reforma e pensioneve. Jemi të vetëdijshëm që këto janë ritme rritjesh të pamjaftueshme, por mos harrojmë edhe mjediset e huaja. Europa pritet të mbetet në terma jooptimale dhe kjo s’është se ka shqetësuar vetëm shqiptarët”, deklaroi zv.ministri Luçi.

Top Channel