Turqia kritikon Kinën: Nuk i lejon myslimanët të agjërojnë

03/07/2015 00:00

Ministria e Jashtme e Turqisë ka kritikuar Kinën, që sipas saj, u ka ndaluar shumë prej qytetarëve të saj të besimit mysliman të agjërojnë në muajin e Ramazanit.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se, disa shkolla dhe qeveri lokale në provincën Xinjiang, ku është më i pranishëm në numër komuniteti ujgur, kanë nxjerrë disa rregulla që u ndalojnë agjërimin myslimanëve.

“Ndalimi i agjërimit nga ana e disa prej autoriteteve kineze ka mërzitur opinionin publik në Turqi. Ne kemi ftuar ambasadorin kinez në Ankara dhe i kemi shprehur shqetësimin e thellë për këtë gjë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme turke.

Ky dikaster i qeverisë turke pretendon se ka informacione të sigurta për masat e ndërmarra, pasi në këtë deklaratë citohen faktet e mbledhura nga pjesëtarët e komunitetit ujgur.

Në këtë deklaratë thuhet se shkollat dhe qeveritë lokale kanë afishuar njoftime, duke urdhëruar nxënësit ose njerëzit e tjerë të rrinë larg riteve fetare dhe të mos agjërojnë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme kineze ka thënë se i ka kërkuar Ankarasë zyrtare të japë më tepër sqarime për faktet e mbledhura, pasi ata janë të shqetësuar me deklaratat e fundit të Ministrisë së Jashtme turke.

Top Channel