Siri, rebelët tentojnë të marrin kontrollin në Aleppo

03/07/2015 00:00

Rebelët sirianë, të udhëhequr nga grupet ekstremiste islamiste, kanë ndërmarrë një sulm masiv, përmes të cilit synojnë të marrin kontrollin e plotë të qytetit verior Aleppo.

Rebelët lëshuan qindra raketa në disa prej zonave të kontrolluara nga qeveria, ndërsa si kundërpërgjigje ushtria e Sirisë hapi zjarr ndaj tyre dhe sulmoi nga ajri.

Përmes një deklarate, rebelët u shprehën se qëllim i sulmit të tyre ishte “çlirimi i qytetit Aleppo”. Mësohet se mbrapa tyre qëndron një grup i quajtur Ansar Sharia, në përbërje të të cilit janë xhihadistë nga Al-Nusra dhe Al-Qaeda.

Si pasojë e këtyre sulmeve, njoftohet se katër civilë kanë humbur jetën dhe 70 të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, nga ana e rebelëve kanë humbur jetën pesë vetë.

Më shumë se 230 mijë njerëz janë vrarë në Siri, qëkur kjo luftë filloi në mars të vitit 2011.

Top Channel