Tragjedia e avionit MH17, Malajzia kërkon të ngrihet një tribunal ndërkombëtar

03/07/2015 00:00

Malajzia kërkon që të ngrihet një tribunal ndërkombëtar për të ndjekur penalisht të gjithë të dyshuarit që kanë gjuajtur në avionin “Malaysia Airlines” MH17.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për muajin korrik, Gerard van Bohemen ka informuar anëtarët e Këshillit në lidhje me rezolutën që pritet të paraqitet për MH17.

“Malajzia është duke kërkuar mekanzima në mënyrë që përgjegjësit të dënohen për jetët e humbura”, është shprehur Bohemen. Ai ka sqaruar se ky propozim vjen si një akt i përbashkët i Malajzisë, Australisë, Holandës, Belgjikës dhe Ukrainës.

Ndërkohë, zv/ministri i Jashtëm i Rusisë, Genady Gatilov e ka quajtur propozimin “të vonshëm në kohë dhe kundërproduktiv”.

Avioni MH17 ishte duke fluturuar mbi territorin e kontrolluar nga rebelët pro-rusë në Ukrainën Lindore, derisa ishte rrëzuar duke shkaktuar vdekjen e rreth 300 udhëtarëve. Liderët seperatistë kanë mohuar akuzat se ata kanë rrëzuar avionin.

Top Channel