Grekët do të dalin këtë të premte në dy manifestime, njëri në mbështetje të një “po”-je për masat shtrënguese dhe tjetra për “jo”-në ndaj këtyre masave të propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, në këmbim të vazhdimit të planit të ndihmës financiare.

Kryeministri Tsipras pritet të shfaqet në manifestimin e organizuar kundër masave shtrënguese. Mbrëmen e së enjtes ai deklaroi se refuzimi i këtyre masave nuk përkthehet domosdoshmërisht në një dalje të Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët.

Por udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë paralajmëruar se një votë “jo” me gjasa do të nxirrte Greqinë jashtë Eurozonës, dhe vendi do të përballej me një të ardhme të paqëndrueshme dhe të pasigurtë ekonomike.

Sondazhet favorizojnë votën “po” ndaj masave shtrënguese. Më i fundit prej tyre thotë se 47 për qind e grekëve do të pranojnë masat e propozuara nga huadhënësit ndërkombëtarë, ndërsa 43 për qind do t’i refuzojnë ato. Pjesa tjetër shprehet e pavendosur.

Numri i madh i të pavendosurve ka shkaktuar një fushatë të ashpër mes dy kampeve për t’i tërhequr pas vetes. Koha nuk premton dhe po shfrytëzohet çdo mjet e burim informacioni për t’u shpjeguar grekëve se përse duhet të votojnë me “po” dhe pse duhet të votojnë me “jo”.

Ndërkohë, të enjten, koalicioni qeverisës i Syriza-s me Grekët e Pavarur ka pësuar një çarje. 4 deputetë të Grekëve të Pavarur njoftuan publikisht votën e tyre në favor të propozimeve të huadhënësve ndërkombëtarë, madje njëri prej tyre njoftoi dorëheqjen.

Si Tsipras, ashtu dhe ministri i Financave, Yannis Varoufakis, kanë lënë të kuptohet se do të dorëhiqen nëse masat shtrënguese miratohen në referendumin e së dielës.

Ndërkohë, për shumë analistë radikalët grekë po luajnë “bllofin”, duke përhapur kaos dhe pasiguri jo vetëm përsa i përket së ardhmes së Greqisë, por edhe për vetë fatin e monedhës së përbashkët.

Top Channel