BE do të financojë interkonjeksionin 400 KW me Maqedoninë

03/07/2015 00:00

Bashkimi Europian është bindur për të financuar me 70 milionë euro linjën e interkonjeksionit prej 400 KW mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë thotë se projekti parashikohet të nisë zbatimin vitin e ardhshëm, kur përfundon linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo u konfirmua gjatë takimit të mbajtur ditën e enjte në Vjenë mes ministrave të Energjisë të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Shqipëria u përfaqësua nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në cilësinë edhe të drejtuesit të Presidencës së radhës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri njohu të pranishmit me hapat që po ndërmerr Shqipëria në kuadër të reformës në sistemin energjitik dhe projektet e lidhjes me linjat e transmetimit me vendet fqinje, si ajo me Kosovën që po ndërtohet dhe shumë shpejt linja me Maqedoninë.

“Bashkimi Europian mund të jetë mbështetës për vende si ne, janë projektet e infrastrukturës energjitike ato që mund të bëhen prioritare dhe të shkojnë në rrugën e realizimit”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ai kërkoi mbështetje edhe për projektin e rëndësishëm të degëzimit të gazsjellësit Trans-Adriatik TAP, me gazsjellësin Jonian-Adriatik IAP. Sipas tij, ky investim i shërben diversifikimit të burimeve për një pjesë të vendeve të Ballkanit.

Top Channel